Wednesday, March 19, 2025
HomeLajmeKosovaFruthi prek tri komuna në Kosovë – konfirmohen pesë raste

Fruthi prek tri komuna në Kosovë – konfirmohen pesë raste

Nga janari i këtij viti e deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar gjithsejtë 5 raste të fruthit.

Kështu kanë konfirmuar  nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Sipas IKSHPK-së, këto raste janë regjistruar kryesisht në komunat tri komuna.

“Nga janari e deri më tani (2025) në Kosovë janë konfirmuar 5 raste të fruthit. Komunat ku janë regjistruar raste kanë qenë: Fushë Kosova, Gjakova dhe Deçani”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Në lidhje me situatën aktuale, IKSHPK thekson se, ndonëse rastet deri tani kanë qenë sporadike, është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të parashikuar.

“Situata është nën monitorim të përhershëm të IKSHPK-së, që si institucion, u bën thirrje prindërve, t’i vaksinojnë fëmijët me dy dozat e vaksinës MMR”, thuhet më tej në përgjigjen e IKSHPK-së.

Doza e parë e vaksinës MMR duhet të administrohet kur fëmijët arrijnë moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë është e rekomanduar të merret në moshën 6 vjeçare.

“Kjo është rruga e duhur për të parandaluar ndonjë përhapje të përmasave më të madhe, meqë rastet deri më tani kanë qenë sporadike”, kanë thënë nga IKSHPK.

Vaksinimi është një masë kyçe në parandalimin e shpërthimit të fruthit në nivele më të larta, sidomos kur janë të pranishëm fëmijë të pambrojtur.

Për këtë arsye, prindërit inkurajohen që të respektojnë kalendarin e vaksinimit dhe të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar.

Fruthi, një infeksion viral i cili përhapet lehtësisht nga personi në person, mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, dhe në disa raste mund të jetë fatale.

Megjithatë, vaksina MMR  është një mjet efektiv për të parandaluar këtë sëmundje dhe për të shmangur shpërthimet masive.

Vaksina MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, është në dispozicion që nga viti 1971./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments