Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeFreedom House vjen me një raport për procesin e negociatave Kosovë-Serbi

Freedom House vjen me një raport për procesin e negociatave Kosovë-Serbi

Organizata Freedom House thotë se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.

Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon,”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

Kosova dhe Procesi i Negociatave

Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit.

“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.

“Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, tha zonja Karppi, duke shtuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.

“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, thotë zonja Karppi.

Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, megjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjendja e demokracisë në Shqipëri

Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.

“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.

Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.

“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

Megjithë përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.

Zonja Karppi thotë për Zërin e Amerikës, se edhe zgjedhjet lokale të 14 majit përforcuan këtë prirje.

“Mendoj se zgjedhjet lokale që sapo u mbajtën në maj ishin një shembull tjetër që fatkeqësisht, për shkak të rrjeteve të kapjes së shtetit nga parti të caktuara, të bëjnë mendosh se do të shohim të njëjtën gjë. Mendoj se status quo-ja politike ka të ngjarë të vazhdojë”, thotë ajo.

Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia e Shqipërisë u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.

“Megjithatë, vendi bëri pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride. Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbetën armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë vlera të rëndësishme demokratike”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimi të Freedom House “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).

Sipas raportit, përplasjet politike në Partinë Demokratike (PD) që panë një rikthim të ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike dhe largimin nga drejtimi i PD-së të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku në pesë nga gjashtë garat fitoi Partia Socialiste (PS) në pushtet e kryeministrit Edi Rama, mbizotëruan skenën politike të Shqipërisë në vitin 2022 dhe çarjet e mëdha mes fraksioneve partiake përkatëse vazhdojnë.

“Debati publik dhe media u përqendruan më shumë në dinamikën e brendshme të PD-së sesa në problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballet vendi dhe nevojën për të kërkuar llogari nga qeveria e kryeministrit Rama”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

Gjatë vitit 2022, një numër gazetarësh të politikës u ndeshën me abuzime verbale, ndalim pjesëmarrjeje në konferencat për shtyp, frikësime, gjoba të mëdha dhe madje edhe padi, thotë raporti.

Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një “moment historik” dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.

“Të dyja rastet përfaqësojnë suksese të rëndësishme të politikës së jashtme për Shqipërinë. Megjithatë, pavarësisht përparimit të bërë që nga rënia e komunizmit – përfshirë dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë për abuzim me pushtetin dhe korrupsion në vitin 2022, falë angazhimit të SPAK-ut, shumë institucione publike mbeten jofunksionale për shkak të korrupsionit të përhapur dhe kulturës së mosndëshkimit, duke minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë të siguruar nga Zëri i Amerikës.

Sipas raportit, megjithëse Shqipëria në përgjithësi respekton instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, vendi ende nuk arrin të mbrojë të drejtat themelore si vlera thelbësore që mbështesin një shoqëri liberale demokratike, duke përmendur studimin e BIRN-it, sipas së cilit “rreth 320 raste të abuzimit seksual ndodhën në periudhën 2020-2022 dhe identitetet, familjet, informacionet personale dhe adresat e shtëpive të viktimave u publikuan gjerësisht në media” duke çuar në disa vetëvrasje dhe vënie në shënjestër nga trafikantët e qenieve njerëzore.

Raporti përmend gjithashtu vrasjen e 10 grave nga partnerët e tyre dhe diskriminimin e individëve të komunitetit LGBT+, pakicave rome dhe egjiptiane.

“Në vend që të mbajnë përgjegjës abuzuesit, autoritetet publike dhe politikanët lokalë shpesh fajësojnë viktimat dhe madje zbulojnë emrat dhe identitetin e tyre në media, duke çuar në viktimizimin e tyre të dyfishtë. Si e tillë, Shqipëria deri më tani ka neglizhuar përgjegjësitë e saj institucionale për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe liritë civile, vlera që janë themelore për një demokraci liberale të vërtetë”, thuhet në raport.

Qeverisja Kombëtare Demokratike dhe Procesi Zgjedhor

Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.

“Vëzhguesit pohojnë se këto zgjedhje të brendshme në tre partitë kryesore politike të Shqipërisë (PD, PL dhe PS) ishin të paracaktuara dhe të ndikuara shumë nga udhëheqësit e partive, në vend që të ishin rezultat i një konkurrence të vërtetë të brendshme partiake. Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport..

Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.

“Duke qenë se BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë të tregojë më shumë përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërpartiak, ekspertët argumentuan se të dyja palët humbën një mundësi për të demonstruar bashkëpunim në zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për president”, thuhet në raport.

Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.

“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.

Korrupsioni dhe Pavarësia e Gjyqësorit

Falë aktivitetit të SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit ishte i vetmi drejtim ku Shqipëria shënoi përmirësim të lehtë.

Në raport përmendet dënimi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre—çështja e profilit më të lartë që SPAK ka ndjekur me sukses që nga themelimi i tij në 2019.

Po ashtu përmendet arrestimi i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, nën akuzën për marrjen e ryshfetit prej 120,000 € gjatë kohës që ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Ai akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar një kompani për të fituar një kontratë publike për inceneratorët. Bllako u lirua nga burgu në tetor dhe ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa SPAK heton tre kontrata për inceneratorët.

Raporti përmed edhe arrestimin e disa zyrtarë publikë me lidhje me këto çështje në vazhdim, të cilët tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Mes të arrestuarve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.

Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.

“Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.

“Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”, thuhet në raportin e Freedom House.

Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.

“Presioni nga shoqëria civile dhe ai politik mbi procesin e vetingut gjyqësor është rritur pasi vonesat në sistemin e drejtësisë kanë shkaktuar sfida ligjore, sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri. Qasja në drejtësi është përkeqësuar dhe sipas ekspertëve tani duhen më shumë se tre vjet e gjysmë për të filluar ose përfunduar procedurat për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, thuhet në raport, i cili vazhdon se “që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit”.

Lidhur me hartën e re gjysqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.

Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.

“Përkundër pretendimeve të qeverisë për rritjen e efektivitetit gjyqësor, vëzhguesit e shtetit ligjor argumentojnë se reformat i japin përparësi prakticiteti ndaj efektivitetit gjyqësor”, thuhet në raport.

Sipas Freedom House, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim tek drejtësia”.

Gjendja e Medias dhe Shoqërisë Civile

Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij.

“Shumica e mediave në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”, thotë raporti.

Disa gazetarë u sulmuan verbalisht dhe/ose fizikisht për mbulimin e tyre. Sipas raportit, Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Tatimeve vendosi gjoba të larta për rrjete dhe media të ndryshme televizive, si dhe kompanitë që i kanë ato në pronëseim për mbulim kritik ndaj qeverisë.

“Duke pasur parasysh natyrën e paqartë të pronësisë dhe financimit të medias në Shqipëri, është e vështirë të analizohen motivet e sakta prapa gjobave kaq të mëdha apo ndonjë lidhje të mundshme midis politikës dhe pronësisë së medias”, thuhet në raport.

Në raport përmendet padia për shpifje kundër gazetarit Isa Myzyraj, pasi ai raportoi për pasuri të pashpjegueshme të ish-prokurores Elizabeta Imeraj, dështimin e saj për të kaluar procesin e vetingut gjyqësor dhe shkarkimin e saj.

Elvis Hila u kërcënua për publikimin e lajmeve për dokumente të falsifikuara gjyqësore në Lezhë dhe ai dhe bashkëshortja e tij u sulmuan fizikisht një ditë pasi ai dha lajmin.

Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe Gazetarët pa Kufij konfirmuan se Myzyraj, Hila dhe gazetarë të tjerë kanë qenë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, individëve të lidhur politikisht dhe oficerëve të korruptuar brenda sistemit të policisë dhe drejtësisë.

Organizata e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) vë në dukje se Shqipëria po dështon të mbrojë gazetarët dhe shtypin e lirë.

Sipas raportit në vitin 2022, emisionet televizive të formatit të opinionit u bënë mjet kryesor për dezinformimin e nxitur nga interesat politike dhe lidhjet e pronarëve dhe jo nga faktet — “siç shihet në pasqyrimin e luftës për pushtet Basha-Berisha, akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve qeveritarë për shpërdorim në menaxhimin e kontratave publike, dhe rolin e krimit të organizuar në trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e shqiptarëve në Britani.

Një shembull që përmend raporti është ai pas raportit të zbulimit amerikan për paratë ruse, ku përfshihej edhe rasti i 500 mijë dollarëve të PD-së të lidhur me Rusinë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2017.

“Gazetarët pyetën ish-kreun e PD-së Lulzim Basha nëse ai do të jepte dorëheqjen dhe do të merrte përgjegjësin për akuzat për paratë ruse. Basha u përgjigj me komente përçmuese dhe më pas disa gazetarë u ndaluan nga konferencat e ardhshme për shtyp”, thuhet në raport.

Gjithashtu, disa gazetarë janë sulmuar verbalisht gjatë pasqyrimit të protestave dhe përplasjeve të dhunshme jashtë selisë së PD-së dhe përçarjeve mes Bashës dhe Berishës për kryesinë e partisë.

“Anëtarët e lartë të qeverisë ndaluan gjithashtu disa gazetarë nga konferencat e tyre për shtyp kur pyetjet e tyre u konsideruan tepër të forta, siç ndodhi në një rast me pyetjet për ministren e Jashtme Olta Xhaçka”, thuhet në raport.

Në përgjigje të kësaj shtypjeje të lirisë së shtypit, gazetarët protestuan jashtë zyrës së kryeministrit në korrik duke kërkuar trajtim më të mirë të gazetarëve nga politikanët në të gjithë spektrin politik.

Përsa i takon shoqërisë civile, në vitin 2022, lëvizjet qytetare në Shqipëri u bënë më të organizuara në mbështetje të çështjeve që organizatat tradicionale joqeveritare dhe të shoqërisë civile, zakonisht i kanë injoruar.

Këtu përmendet rasti i “Diasporës për një Shqipëri të Lirë” e cila ngriti një çështje kundër Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar njohjen e së drejtës së shqiptarëve që banojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

“Në dhjetor, gjykata vendosi se parlamenti kishte shkelur kushtetutën duke mos lejuar shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe urdhëroi që diaspora të lejohet të votojë nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në kapitullin e Shqipërisë që e ka lexuar shërbimi shqip i Zërit të Amerikës.

Po ashtu, thuhet në raport, studiuesi Fabian Zhilla organizoi një peticion me mbi 10,000 nënshkrime duke i kërkuar Kuvendit të rregullojë programet “reality show” dhe të urdhërojë Autoritetin e Mediave Audiovizive të përforcojë dhe zbatojë legjislacionin aktual për programet televizive që përhapin gjuhën e urrejtjes.

“Këto lëvizje tregojnë se anëtarët e shoqërisë civile po bëhen më të organizuar pasi publiku shqiptar bëhet më i vetëdijshëm se si të përdorë mjetet demokratike, pjesërisht për shkak të platformave të mediave sociale dhe përparimeve teknologjike”, thotë raporti.

Sipas raportit, një nga parakushtet kyçe të anëtarësimit në BE për Shqipërinë është që Organizatat Joqeveritare dhe ato të Shoqërisë Civile të përfshihen në konsultime kur të hartohen ligjet.

Megjithatë, sipas raportit, shqetësimet e tyre për hartën e re gjyqësore edhe kur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund i përfshiu pas neglizhimit fillestar, u hodhën poshtë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ekspozuar vazhdimisht se si Kuvendi dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i sapo reformuar nuk kanë marrë parasysh propozimet e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, apo shqetësimet e qytetarëve për qasje në drejtësi, përfshirë kostot e larta dhe sfidat logjistike që rezultojnë nga riorganizimet e gjykatave.

Sipas vëzhguesve, këto dështime janë një temë e përsëritur në Shqipëri.

Ballkani Perëndimor mes Shpresës dhe Zhgënjimit

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, joanëtare të BE-së ishin regjime hibride/demokraci në tranzicion dhe institucionet demokrative vazhduan të ishin të brishta në vitin 2022. Sipas raportit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve janë përjashtuar.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.

Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.

Megjithëse rezultatet në raport e vendosin Shqipërinë pranë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aspektin e zhvillimit demokratik, sondazhet sugjerojnë se shqiptarët janë më shumë optimistë se anëtarësimi në BE, do të ofrojë jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe përmirësim të standardeve demokratike.

Alexandra Karppi e organizatës Freedom House thotë se angazhimi i shtuar i BE-së dhe SHBA-së si në bisedimet Kosovë-Serbi, edhe më gjerë në rajon është është diçka pozitive.

“Megjithatë këto janë procese të drejtuara nga elita që mund të bëjnë më shumë për të pasqyruar perspektivën e qytetarëve dhe aktorëve joqeveritarë”, thotë ajo.

Qytetarët e vendeve kandidate të BE-së vazhduan të mbështesin në masën më të madhe anëtarësimin në bllok. Megjithatë ata dyshojnë se anëtarësimi do të vijë së shpejti.

Serbët janë një përjashtim i qartë, me skepticizmin më të lartë për të përfitimet nga anëtarësimi.

Sipas raportit, mungesa e shpresës ka kontribuuar në eksodin nga rajoni. Një e pesta e të lindurve në Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga vendet e tyre.

Raporti sugjeron nevojën e një riangazhimi energjik nga BE-ja për integrimin dhe paralajmëron se braktisja nga Perëndimi hap rrugën për ndërhyrje dhe ndikim nga fuqitë autoritare.

“Kjo shihet nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të përhapur dezinformim dhe krijuar lidhje politike në rajon”, thuhet në raport.

Por Freedom House thekson se janë udhëheqësit e vendeve që duhet të sjellin përparimin demokratik për qytetarët e tyre.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments