Saturday, November 23, 2024
HomeBotaFranca merr drejtimin e Presidencës së BE-së

Franca merr drejtimin e Presidencës së BE-së

Franca më 1 janar merr kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian, teksa presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një Evropë më të fortë, sovrane dhe të bashkuar.

Macron për një kohë të gjatë ka kërkuar që BE-ja të jetë fuqi më e fortë botërore, teksa ka kërkuar që 27 shtetet e bllokut të jenë më të bashkuara.

“Unë do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë me bashkëpunim brenda kufijve tanë në një Evropë më të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë në zgjedhje të saj”, tha Macron në një fjalim në muajin dhjetor të vitit 2021, teksa përshkroi planet e Presidencës franceze.

Një prej propozimeve të Francës është që të rritet “sovraniteti strategjik” i bllokut evropian, që do ta lejonte të vepronte më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara kur është në interesin e BE-së.

Macron po ashtu dëshiron që të avancojë përparimin në kapacitetet e përbashkëta të mbrojtjes, në mënyrë që BE-ja të mos varet nga siguria e SHBA-së. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë thënë se “sovraniteti strategjik” dhe projektet e mbrojtjes nuk janë zëvendësues të Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Franca po ashtu dëshiron që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së të rrisë koordinimin në mesin e shteteve anëtare mbi çështjen e migrimit, përfshirë edhe zhvillimin e një force emergjente, që do t’i përgjigjej krizave në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Ndër prioritetet e tjera përfshihet edhe rritja e pagës minimale në bllok, më shumë rregulla për gjigantët digjitalë, taksa për karbon, mbrojtja e mjedisit dhe ndryshime në rregullat e deficitit buxhetor të BE-së.

Gjatë natës së Vitit të Ri Macron, duke iu referuar Presidencës së BE-së u zotua se periudha e ardhshme gjashtëmujore “do të jetë kohë e progresit për ju”.

Franca planifikon që të mbajë një samit të BE-së në Paris më 10 dhe 11 mars, pak para mbajtjes së zgjedhjeve në Francë.

Zgjedhjet presidenciale në Francë do të mbahen në prill dhe Macron pritet të garojë edhe për një mandat presidencial.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments