Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaForeign Policy: BE-ja ka dështuar në Serbi dhe Kosovë, shkëmbimi i territoreve...

Foreign Policy: BE-ja ka dështuar në Serbi dhe Kosovë, shkëmbimi i territoreve mund të kthehet në tavolinë

Një shkrim i prestigjiozes amerikane, Foreign Policy, ka nënvizuar përpjekjet e dështuara të Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë shkrim është theksuar mungesa e bashkëpunimit nga të dy palët, e që është thelluar edhe më shumë pas sulmit terrorist në Banjskë, i mbështetur nga autoritetet serbe.

Presidenti serb Vuçiq, që FP i është referuar si “nganjëherë kryeneç”, është kritikuar për dërgimin e trupave serbe në kufi me Kosovën; kryeministri Albin Kurti, në anën tjetër, i është tërhequr vërejtja për mos themelimin e Asociacionit. Mirëpo, në fund të fundit, FP shkruan se barra bie mbi BE-në

Sipas FP, BE duhet të nxitohet në gjetjen e një zgjidhjeje, dhe atë për disa arsye.

Pamundësia për të ushtruar kontroll në “oborrin e tyre” dhe zgjedhjet e ardhshme në ShBA, janë dy arsyet që FP liston se mund të ndryshojnë në mënyrë drastike politikën paralele të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë

Më e keqja, sipas FP, mund të ndodh nëse Republikanët marrin pushtetin. Kjo pasi ideja e shkëmbimit të territoreve përkrahej nga ta, dhe nga ish-Presidenti Donald Trump.

“Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA po afrohen me shpejtësi dhe Brukseli mund të përfundojë duke e gjetur veten plotësisht të mënjanuar në Ballkan nëse republikanët përfundojnë duke rimarrë Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë, kjo iu afrua rrezikshëm të ndodhte tre vjet më parë, kur u shfaqën thashethemet se administrata Trump ishte e hapur për miratimin e një propozimi të diskutueshëm për shkëmbimin e territoreve midis Beogradit dhe Prishtinës që do rezultonte në rivizatimin e kufirit Serbi-Kosovë përgjatë vijave etnike duke transferuar veriun e Kosovës me shumicë serbe në Serbi në këmbim të një pjese etnike shqiptare të Serbisë jugore”, shkruan mes tjerash FP.

“Korrigjimet e kufijve padyshim do të kthehen në tavolinë”, thuhet në shkrim, nëse ndodh që Republikanët kthehen në Shtëpinë e Bardhë.

Aty thuhet se ndonëse parimisht zgjedhje e mirë për të zgjidhur konfliktin, ideja e shkëmbimit të territoreve njëherit do të krijonte përçarje edhe më të madhe se status-quoja.

“Korrigjimet e kufijve padyshim do të kthehen në tavolinë, dhe megjithëse kjo do të ishte zgjidhja më e drejtpërdrejtë e konfliktit që do ta bënte Kosovën një shtet më koherent politik, pothuajse me siguri do të rezultojë më përçarës sesa status quo-ja në praktikë. Pra, për këtë arsye, Brukseli dhe Uashingtoni do të këshilloheshin të lëviznin shpejt, ndërkohë që demokratët janë ende në gjendje të kontrollojnë ngjarjet. Por kjo mund të kërkojë një ndryshim drastik të qasjes”, thotë FP.

Tutje, sipas prestigjiozes amerikane, preferenca e status quos nga Beogradi është pikërisht arsyeja e stagnimit të procesit të dialogut.

FP ka përmendur edhe rastin kur “Vuçiq u tall hapur me BE-në”, kur tha se nuk e nënshkroi marrëveshjen e Ohrit/Brukselit pasi “i dhimbte dora”.

“Arsyeja kryesore që dialogu Serbi-Kosovë mbetet i bllokuar është sepse Beogradi preferon status quo-në sesa çdo zgjidhje tjetër të propozuar që ndalon, ndoshta, korrigjimet e kufijve. Në të vërtetë, Vuçiq e ka bërë shumë të qartë këtë dhe nuk ka asnjë shenjë se plani i ri i rënë dakord për këtë vit ka ndryshuar diçka. Në fakt, Vuçiq është tallur hapur me BE-në në televizionin serb, duke pretenduar se ai nuk e nënshkroi propozimin e lartpërmendur, të quajtur Marrëveshja e Ohrit, sepse ai ka një “dhimbje torturuese” në dorën e tij të djathtë që “pritet të vazhdojë për katër vitet e ardhshme”.

Gazeta prestigjioze, në analizën e saj, tutje ka shkruar për nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Madje, FP thotë se BE-ja duhet t’i japë ultimatum kryeministrit Kurti.

“Perëndimi ka fuqi të jashtëzakonshme për të detyruar Kurtin të pajtohet dhe do të ishte mirë ta përdorte atë nëse dëshiron të shohë përparim përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Prandaj, Prishtinës duhet t’i paraqitet një ultimatum: Themeloni Asociacionin nëse keni ambicie serioze për t’u bërë një shtet plotësisht i pavarur”.

“Një veprim i tillë”, vazhdon tutje analiza e FP-së, “padyshim që do të përcillej me kritika të forta nga kori i lartë i zërave pro-kosovarë, të cilët pa dyshim do të argumentonin se Vuçiq po “shpërblehet” për sjelljen e tij luftarake javëve të fundit. Por këta njerëz mund të injorohen lehtësisht”.

Në shkrim thuhet se Kosova është njëjtë si të gjitha shtetet e tjera që nuk njihen, anembanë botës. Mirëpo, dallimi i vetëm është se përkrahet nga Perëndimi. E, kjo, sipas FP-së, duhet të shërbejë që Kurti të detyrohet të rrezikojë për Asociacionin.

“Kosova nuk ka të drejtë të qenësishme për të ekzistuar, dhe pretendimet e saj për kombësi nuk janë më të vlefshme se ato të shteteve të tjera të panjohura anembanë botës. Dallimi i vetëm mes tyre është se Prishtina gëzon mbështetjen e Perëndimit. Nëse Kurti dëshiron njohje ndërkombëtare, ai duhet të detyrohet të pranojë rrezikun e mosfunksionimit në stilin e Bosnjës”, shkruan Foreign Policy.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments