Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Kosovës vitin e ardhshëm mund arrijë mes 3 e 4 për qind. Përfaqësuesi i FMN-së, Gabriel di Bella, në konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se këtë rritje ekonomike do ta mundësojë ndër të tjera edhe planifikimi i mirë buxhetor i Qeverisë për vitin e ardhshëm. Ndryshe nga FMN-ja, Qeveria shprehet më optimiste – parashikon rritje ekonomike mbi 5 për qind
Projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Qeverisë parashohin rritje ekonomike në Kosovë vitin e ardhshëm, porse shifrat e tyre dallojnë mes vete. Në konferencë për media që përfaqësuesi i FMN-së, Gabriel di Bella, mbajti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, u tha se parashikimet e tyre mund të ndërrojnë për shkak të mjedisit të luhatshëm ekonomik sidomos me inflacionin. Sipas FMN-së, në vitin që vjen rritja ekonomike në Kosovë mund të shkojë deri në 4 për qind. Këtë, sipas FMN-së, do ta mundësojë edhe planifikimi buxhetor për vitin e ardhshëm që, sipas Di Bellas, do të ofrojë mundësi të zgjerimit fiskal, i cili më pas do të ndikojë edhe në rritje ekonomike. Të dy zyrtarët kanë thënë se rritja ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti është ngadalësuar kryesisht për shkak të inflacionit të lartë në produktet ushqimore dhe në energjinë elektrike.
“Duhet të presim deri në fund të vitit se deri në çfarë mase investimet dhe realizimet e pagesave për investime do të ndikojnë në rritjen ekonomike për tërë vitin. Por të qartësojmë, për këtë vit parashikimi është 2-3 për qind. Për vitin e ardhshëm 3-4 për qind”, ka thënë Di Bella.
Ndryshe nga parashikimi i FMN-së, projeksioni i Qeverisë flet për rritje ekonomike mbi 5 për qind. Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka arsyetuar se rritja ekonomike do të mund të bëhet falë politikave fiskale zgjeruese të planifikuara për vitin e ardhshëm.
“Me shpresën që do të kemi një stabilizim në këtë aspekt dhe një rënie graduale të çmimeve, një kthim drejt normalitetit, dhe shto këtu edhe faktin që kemi një politikë fiskale zgjeruese edhe vitin e ardhshëm, konsiderojmë që trendi rritës ekonomik do të vazhdojë. Pra, shpresojmë që do të jetë më i lartë se niveli i këtij viti. Ne kemi projektuar që të jetë 5. 5 për qind”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesi i FMN-së, Gabriel di Bella, me agjendën e së premtes e ka përmbyllur vizitën e tij në Kosovë ku nëpërmjet disa paraqitjeve para mediave e ka shpalosur opinionin e këtij institucioni mbi situatën ekonomike në vend. Sipas FMN-së, Kosova ka pasur realizim të mirë të të hyrave dhe kjo, sipas tij, është bërë falë përpjekjeve të Qeverisë për formalizim të tregut. Në kuptim të konsolidimit fiskal pas pandemisë, nga FMN-ja u tha që Kosova ka qenë ajo që ka pasur financat më të konsoliduara nga ekonomitë e matura të rajonit dhe, sipas tyre, kjo ka ndikuar që Kosova t’i përgatisë rezervat e veta për t’u përballur më lehtë me tronditjet ekonomike. Gabriel di Bella ka sqaruar se, sipas parashikimeve, vitin e ardhshëm mund të ketë ulje të çmimeve që, sipas tij, pritet të ndikojë në ringjallje të aktivitetit ekonomik në Kosovë. Teksa pret implementim të investimeve kapitale nga autoritetet kosovare, Di Bella ka kërkuar perspektivë më largpamëse sa i përket tejkalimit të krizës energjetike. Ai ka përmendur edhe rishikimin e tarifave të energjisë.
“Në këtë kontekst duhet të gjenden mënyra për të kursyer energjinë dhe kjo mund të vijë edhe nga masat për efiçiencë, por edhe përmes rishikimit të tarifave. Ne nuk po themi që e tërë rritja në tregun ndërkombëtar t’i bartet konsumatorit si kosto, sepse kjo do të ishte vërtet e rëndë, por ne po themi që çmimi i tarifave të jetë i tillë që të mos i dëmtojë konsumatorët e cenueshëm, por të jetë edhe i përballueshëm”, ka thënë Di Bella.
Përfaqësuesi i FMN-së sërish ka përsëritur qëndrimin se nuk e përkrahin kërkesën për tërheqjen e një pjese tjetër nga Trusti. Ai ka vlerësuar qëndrimin e njëjtë të Qeverisë për Trustin ndonëse, sipas tij, kjo mund të ketë kosto politike për të.
Di Bella në konferencë ka komentuar edhe Projektligjin për Pagat, të cilin ka thënë se Qeveria duhet ta draftojë në atë mënyrë që nuk lë diferencë të madhe mes pagave në sektorin publik dhe atë privat.
“Ne mendojmë që pagat duhet të rriten, por kjo të bëhet në mënyrë të matur në përputhje me ligjin dhe që të ketë një balancim. Çdo rritje e pagave në sektorin publik duhet pasur parasysh edhe në sektorin privat. Sepse aftësia konkurruese në sektorin privat do të ndikohet negativisht”, ka thënë ai.
Që nga 6 tetori ka përfunduar konsultimi publik për këtë projektligj, por i njëjti ende nuk është miratuar në Qeveri. Kjo procedurë, sipas ministrit Murati, do të përfundojë së shpejti.
“Kur të ketë një konsolidim të të gjithë atyre komenteve që janë pranuar gjatë konsultimeve publike, do të kemi edhe një vlerësim të ndikimit financiar nga ana e Ministrisë së Financave, do të procedohet në Qeveri dhe në Kuvend shumë shpejt”, ka thënë Murati.
Gabriel di Bella të premten ka mbajtur konferencë edhe me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, nga i cili ka kërkuar që të ruhet pavarësia e këtij institucioni