Gjatë ditës së mërkurë, Njësia Speciale e Kosovës, ka kryer një aksion në pjesën veriore të Mitrovicës, ku cak i të njëjtit ishin disa barnatore dhe dyqane.
Menjëherë pas këtij aksioni është aktivizuar alarmi i qytetit dhe qytetarë të shumtë serbë të asaj pjese kanë protestuar, duke hedhur gur dhe gaz lotsjellës.
Përveç kësaj huliganë serbë kanë sulmuar edhe me armë zjarri e granata policët e shtetit.
Ky aksion ka ngjallur shume reagime edhe nga zyrtarë të lartë serbë, madje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, ka shkuar në Rashkë për një takim urgjent me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.
Për aksionin në veri kanë reaguar edhe Përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian. Ashpër ka reaguar Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë Borrell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Por a u realizua në kohë të duhur ky aksion.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, për lajmi.net ka sqaruar se a ishte apo nuk ishte sipas tij momenti ideal për një aksion të tillë, pas atij të para pak javësh në pikat kufitare në veri.
Sipas Qehajës, aksioni i së mërkurës nuk është aksion i jashtëzakonshëm, madje ai shprehet i kënaqur nga ky aksion, pasi sipas tij është organizuar për të parandaluar krimin e organizuar në vendin tonë.
“Këtu ka kalkulime të ndryshme a është dashur të ndërmerret ky aksion tash apo të lihet më vonë. Nuk du tash të hy në kalkulime të ndryshme por unë jam njohës i mirë Cështjeve të Sigurisë dhe Ushtarake du të theksojë një gjë: Mua po më pëlqen kjo që Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërmerr masa të duhura, edhe pse duhet me qenë pak më vigjilent Qeveria jonë që të parandalohet krimi i organizuar në vendin tonë kjo është edhe kërkesa e Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera perëndimore të mëdha, që krimi i organizuar të luftohet me mjete dhe forca të duhura brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra asgjë nuk është ndërmarrë diqka e jashtëzakonshme, dhe kto janë veprime që qdo shtet i ndërmerr në vendin vet”, u shpreh Qehaja për lajmi.net.
Për Qehajën, aksionit të tillë nuk i zgjidhet koha e duhur, madje për të aksioni apo operacioni i policisë, ka qenë në drejtimin e duhur.
“Unë nuk e di kohën e duhur, por si një vëzhgues i ngjarjeve, koha nuk zgjidhet, krimi i organizuar në vende të caktuara në tërë territorin e Kosovës jo vetëm në veri, dmth aksioni apo operacioni policor, në këtë drejtim ka qenë i duhur dhe janë ndërmarrë disa masa, kuptohet me disa lëndime dhe gjëra jo të mira që kanë ndodhur atje prej qytetarëve lokalë të asaj pjese”, ka shtuar ndër të tjera Qehaja.
Që aksionet si kjo në veri, nuk kanë kohë të caktuar, e mendon edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Sipas Islamit, lufta kundër krimit të organizuar, nuk parasheh as kohën e caktuar dhe as nuk njeh limite se kur duhet të ndodhë, madje sipas tij, qeveria aktuale është duke e luftuar dhe parandaluar krimin e organizuar.
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës nuk njeh kohë të caktuar dhe nuk është e limituar koha se kur të atakohet dhe të eliminohet, prandaj aksioni i Policisë së Kosovës në shkallë të vendit duke mos e specifikuar vetëm një lokacion , pasi 28 lokacione ishin të atakuara nga ana e Policisë së Kosovës tregon se Qeveria aktuale është duke punuar në luftimin dhe parandalimin ndaj krimit të organizuar”, tha Islami gjatë prononcimit për lajmi.net.
Madje për Islamin, krimi i organizuar nuk duhet të specifikohet në varësi nga lokacioni në të cilin ndodhë si dhe gjithmonë sipas tij aksionet kundër krimit të organizuar nuk njohin as politikë por as marrëveshje mes shteteve.
“Nëse politika e ka specifiku dhe po merret eksluzivisht me veriun e Kosovës mendoj se është e pandashme për shkak se krimi i organizuar nuk njeh kufi as politikë dhe nuk njeh asni lloj marrëveshje të shteteve mes vete “, u shpreh Islami.
Gjithashtu Islami veprimet e Policisë së Kosovës nuk i konsideron aspak politike, pasi sipas tij aksionet e tilla nuk udhëhiqen nga politika por nga gjykatat dhe prokuroria. madje ai deklaratën e Borrelit e konsideron skandaloze.
“Lufta ndaj krimit të organizuar është e drejtë dhe mendoj se aksioni nuk mund të ndahet ndarazi në veriun e Kosovës e të thuhet se për shkak të rrethanave të krijuara politike nuk bën të luftohet krimi i organizuar. Kundër ksaj është edhe deklarata skandaloze e Borrelit , prandaj mendoj se veprimet e Policisë së Kosovës nuk janë veprime politike sepse aksionet e tilla nuk udhëhiqen nga politika por nga gjykata dhe prokuroria kur dihet se shtetet janë të ndara, prokuroria, gjykata legjislative , dmth vepriim i denjë i Policisë së Kosovës dhe besoj që edhe në të ardhmën nuk duhet të zbrapsen në luftmin e korrupsionit qoftë në veri te Kosovës apo kudo tjetër”, përfundoi Islami.
Nga sulmi i protestuesve gjatë aksiont të djeshëm (e mërkurë), 10 policë kanë përfunduar të lënduar, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor dhe janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare, nderkohë në anën tjetër janë arrestuar tetë persona të dyshuar, kur prej tyre tre janë liruar në mëngjesin e sotëm dhe pesë të tjerë vazhdojnë të mbahen në paraburgim.