Tregut medial të Kosovës i është shtuar edhe media e shkruar online Paparaci.
Paparaci, drejtues i së cilit do të jetë gazetari Vehbi Kajtazi, do të përmbajë shkrime hulumtuese të bazuara në dokumente, video, fotografi e fakte në baza ditore.
Në shkrimin hyrës për “Paparacin”, gazetari Kajtazi ka shkruar se pas ndryshimeve politike në vend, mediat po konsiderohen armiq të pushtetit, prandaj, mediumi më i ri në vend do t’u bëjë ballë presioneve e sulmeve, të cilat sipas tij duhet të ndalen.
“Tregu media kurrë nuk ka qenë më pluralist së sa viteve të fundit. Me ndryshimet politike dhe ardhjen e një subjekti të ri në pushtet si rezultat i punës së medieve të cilat kanë ekspozuar korrupsion e afera të mëdha, mediat tash po konsiderohen armiq të këtij pushteti”, ka shkruar ai.
“Presioni, sulmet, linçimi i gazetarëve dhe analistëve që po e bëjnë opozitën në mungesë të opozitës duhet të ndalet. Përballimi i këtyre sulmeve arrihet vetëm kur ka media të forta, të panënshtruara ndaj asnjë pushteti, qoftë ky me mbi 50 për qind të votave”, ka shtuar tutje Kajtazi.
Kajtazi ka njoftuar edhe për rubrikat e “Paparacit”.
“Kategoria e shkrimeve hulumtuese dhe analitike quhet – “PaPardon”. Ajo e showbizit – “PaFilter”. E ekonomisë – “Progres”. Rubrika e lajmeve nga bota do të quhet – “PaKufi”. Ajo e sportit – “PaKarton”. E opinioneve – “PaDorëza”. Rubrika e teknologjisë – “PaKabllo” dhe ajo e stilit, jetës, kurioziteteve -“PaTeklif”.