Centrali i parë bërthamor i Emirateve të Bashkuara Arabe të martën i filloi operacionet e para komerciale, njoftuan udhëheqësit shtetërorë në rrjetet sociale.
Centrali bërthamor “Barakah” në Abu Dhabi është qendra e parë bërthamore në botën arabe dhe pjesë e përpjekjeve të prodhuesit të madh të naftës për t’i bërë më të llojllojshme burimet e energjisë.
“Megavati i parë nga centrali i parë bërthamor arab ka hyrë në rrjetin kombëtar të energjisë”, shkroi në Twitter nënpresidenti Sheikh Mohammed bin Rashid al-Maktoum.
Princi i Abu Dabit, i cili de fakto është udhëheqës i shtetit, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, tha se ky është një moment historik për Emiratet e Bashkuara, që këtë vit e shënojnë 50-vjetorin e themelimit.
Ndërtimi i këtij centrali është ballafaquar me vonesa. Njësia e Parë e mori lejen operuese nga rregullatori bërthamor vitin e kaluar, tre vjet më vonë sesa ishte planifikuar.
Në gusht të vitit të kaluar, Njësia e Parë u lidh në rrjetin kombëtar të energjisë, ndërsa në dhjetor e arriti 100 për qind të kapacitetit të prodhimit gjatë testimit.
Kur të përfundojë plotësisht ndërtimi i këtij centrali, ai do të ketë katër reaktorë që do të prodhojnë 5.600 megavatë energji elektrike, shifër që mbulon 25 për qind të kërkesës në Emiratet e Bashkuara Arabe.