Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.
Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.
Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.