FIFA do t’i zgjedhë sonte më të mirët e vitit 2023 përmes një gala mbrëmjeje që do ta mbajë në Londër. Nga Kosova, për futbollistin më të mirë të vitit dhe për kategoritë e tjera kanë votuar; Primoz Gliha, ish-përzgjedhësi i Kombëtares, kapiteni Amir Rrahmani dhe redaktori i sportit në “Gazetën Express” dhe në “T7”, Valon Konushevci. Erling Haaland shihet si favorit për ta fituar çmimin e futbollistit të vitit, pasi që Kupa e Botës “Katar 2022” nuk është llogaritur. Lionel Messi e kishte fituar çmimin e më të mirit vitin e kaluar, pasi kishte udhëhequr vendin e tij drejt shpalljes kampione e botës.
FIFA do ta zgjedhë sonte futbollistin e vitit 2023 në një gala mbrëmje që do ta mbajë në Londër, e cila do të fillojë në ora 20:20.
Periudha në të cilën merren parasysh arritjet për çmimet në kategorinë e meshkujve është nga 19 dhjetori 2022 deri më 20 gusht 2023, pra duke përjashtuar Kupën e Botës 2022. Messi e kishte fituar çmimin e më të mirit vitin e kaluar, pasi kishte udhëhequr Argjentinën drejt shpalljes si kampione e botës. Ndërsa, për çmimet në konkurrencën e femrave merret parasysh periudha nga 1 gusht 2022 deri më 20 gusht 2023.
Kjo është hera e shtatë që Valon Konushevci përzgjidhet nga FIFA për të votuar në “The Best FIFA Football Awards” që prej anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, prej tyre gjashtë herë në kategorinë e meshkujve dhe një herë në kategorinë e femrave.
Erling Haaland, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe janë në garë për ta fituar çmimin “Futbollisti më i mirë i Vitit 2023”.
Mediat e huaja raportojnë se favorit për ta fituar këtë çmim është ylli norvegjez, Erling Haaland, i cili pati një sezon fantastik me Manchester Cityn, duke ndihmuar skuadrën angleze në triumfin historik të tripletës; titullit të kampionit në Premierligë, Ligën e Kampionëve dhe triumfin në Kupën FA.
Ai gjithashtu mori edhe shumë çmime individuale gjatë kësaj periudhe, si dhe theu rekorde me gola.
Në konkurrencën e femrave, të nominuara për lojtaren e vitit janë, Aitana Bonmati, Linda Caicedo dhe Jenni Hermoso.
Çmime të tjera që do të shpërndahen në ceremoninë e Londrës, në të dy konkurrencat, do të jenë edhe për portierin më të mirë, trajnerin, çmimi për golin më të mirë, për “Fair-Play” e për tifozë. /Gazeta