Simptomat e COVID-19 rrallë vazhdojnë përtej 12 javëve te fëmijët, një shenjë siguruese se ata kanë shumë më pak të ngjarë se të rriturit të vuajnë nga efektet afatgjata të COVID-it.
Një përmbledhje shkencore nga studiues pediatër në Institutin Kërkimor të Fëmijëve “Murdoch”, në Melburn, Australi, arriti në përfundimin se, në pjesën më të madhe, studimet globale të “Long Covid” te fëmijët kanë “kufizime të rëndësishme” dhe se shumë prej tyre e mbivlerësojnë rrezikun.
“Long Covid” nuk është një term mjekësor zyrtar, por përdoret për të përshkruar rastet kur personi vuan nga simptomat e virusit për më gjatë se periudha zyrtare dyjavore e konsideruar nga OBSH.
Rishikimi i publikuar në Gazetën e Sëmundjeve Infektive Pediatrike, analizoi rezultatet e 14 studimeve, që përfshinin 19 mijë e 426 fëmijë.
Ai raportoi se simptomat më të zakonshme, të përjetuara midis katër dhe 12 javëve pas një infeksioni akut te fëmijët, janë dhimbje koke, lodhje, shqetësime të gjumit, vështirësi në përqendrim dhe dhimbje barku.
“Të dhënat e shqyrtuara tregojnë qartë se COVID-i mbetet një sëmundje e butë te fëmijët nën 12 vjeç dhe se pranimet në spital janë të rralla”, ka thënë zyrtari kryesor kërkimor dhe specialisti i sëmundjeve infektive pediatrie, Nigel Curtis.
Një pjesë e mirë e studimeve, gjithashtu, nuk kanë një përcaktim të qartë të rasteve dhe të dhënave të lidhura me moshën, marrin në konsideratë kohët e ndryshueshme të ndjekjes dhe shpesh mbështeten në simptomat e raportuara nga fëmija ose prindërit, pa konfirmim laboratorik.