Të premten, Pfizer publikoi të dhëna të reja sa i përket vaksinës së saj Anti-Covid, sipas të cilave ka rezultuar se ajo është rreth 90% efektive te fëmijët edhe për të miturit e moshave nga 5 deri në 11 vjeç. Për momentin, vaksina është aprovuar për përdorim për moshën +16 vjeç.
“Duam të nisim një fushatë diskutimi me pediatrit e familjes, të cilët kanë marrëdhënie konfidenciale me familjet. Po përpiqemi që njerëzit t’i kuptojnë qartë përfitimet e vaksinimit edhe te fëmijët, sikurse tek e gjithë familja. Vaksinat që po diskutojmë janë efektive dhe të sigurta”, u shpreh Anthony Fauci, shefi i sëmundjeve infektive.
“Do ta konsiderojmë. Mund t’ju siguroj se vetëm pas një diskutimi të gjatë do të rekomandojmë vaksinën që do të përdoret gjerësisht për fëmijët tanë”, tha Paul Offit, këshillues për vaksinën në FDA.
“Duhet të vaksinoheni, edhe në qoftë se jeni shtatzëna. Në qoftë se keni marrë një dozë dhe tani jeni shtatzënë, merreni edhe dozën e dytë, edhe atë të tretën po ashtu”, u shpreh Rochelle Walensky, drejtuese e CDC.
Pavarësisht rezultateve shkencore që vaksinimi ka treguar këto muaj, ka ende frikë dhe hezitimin për efektet anësore të saj. Thuajse 100 nga 13 milionë vetë që janë vaksinuar me vaksinën Johnson & Johnson kanë zhvilluar një sindromë të rrallë neurokirurgjikale, përfshirë Anthony Flint. Teksa FDA nuk ka përcaktuar ende në qoftë se vaksina mund ta shkaktojë këtë sindromë, ajo thekson se frika ekziston.
“U përballa me të, pavarësisht frikës dhe panikut me të cilën njerëzit përballen me një situatë të tillë. Po të shohësh shifrat, e kupton sesa situatë e rrallë është kjo. Ka 0.008% shanse që të shfaqet kjo simptomë, e cila normalisht nuk shfaqet vetëm nga vaksina por edhe nga gjëra të tjera. Mendoj se ajo reflekton rritje të çrregullimeve auto-imune, ndaj mendoj se është shumë rëndësishme që të flasim dhe të dimë sesi trupi ynë e përballon vaksinën”, tha Anthony Flint, raporton A2news.
Të premten, kërkuesit në SHBA publikuan të dhënat e një studimi, sipas të cilit rezultonte se ata që ishin vaksinuar kundër covid, kishin më pak gjasa të vuanin rëndë infektimin, apo të humbin jetën sesa të pa vaksinuarit. Mjeku kirurg, Viktor Murthy, thotë se administrata Biden duhet të mendojë një rrugë për ta bërë vaksinën të detyrueshme për bluzat e bardha.
“Padiskutim duhet të sigurohemi që të gjithë të jemi të vaksinuar në këtë pandemi dhe të mbrojmë njerëzit nga Covidi. Vaksina është mënyra më e mirë për ta bërë këtë”, tha Vivek Murthy, mjek kirurg.