Administrata e Ushqimit dhe Barnave, FDA miratoi sot dozën e tretë, përforcuese, të vaksinës Pfizer, për fëmijët në moshën 12 vjeç e lartë, ndërsa vendi ndeshet me një shtim të lartëtë rasteve me Omicron.
Deri tani doza përforcuese rekomandohej për moshat 16 vjeç e lart.
Miratimi, që vjen ndërsa nxënësit rifillojnë shkollën pas pushimeve, nuk është hapi përfundimtar. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) duhet të japin miratimin e tyre, para se të fillojë përdorimi i dozës së tretë tek fëmojët 12 vjeç.
Dr. Rochelle Walensky, drejtoresha e CDC-së, tha se vendimi pritet të merret këtë javë.
FDA-ja tha gjithashtu se të gjithë fëmijët 12 vjeç e lart që kualifikohen për një dozë përforcuese mund ta marrin atë pesë muaj pas dozës së fundit, në vend të gjashtë muajve.
Vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda nga çdo lloj COVID-19. Por autoritetet shëndetësore po u bëjnë thirrje të gjithë atyre që kualifikohen, që të marrin dozën përforcuese, pasi ajo ofron shansin më të mirë për të shmangur infeksionet më të rënda nga varianti shumë ngjitës Omikron.
Fëmijët zakonisht e kalojnë më lehtë COVID-19 sesa të rriturit. Por shtrimet e tyre në spital po rriten gjatë valës së Omikronit — shumica e tyre të pavaksinuar.
Vaksina e prodhuar nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech është opsioni i vetëm në SHBA për fëmijët e çdo moshe. Sipas CDC-së, rreth 13.5 milionë fëmijë 12 deri në 17 vjeç – pak më shumë se gjysma e asaj grupmoshe – kanë marrë dy doza të vaksinës së Pfizerit.
Kompania Pfizer ndërkohë, po studion një formë vaksine me doza më të vogla, për fëmijët nën 5 vjeç.