Sunday, November 24, 2024
HomeSportFC Prishtina: Fajtore kryesore për gjendjen tonë është Federata e palicencuar nga...

FC Prishtina: Fajtore kryesore për gjendjen tonë është Federata e palicencuar nga Ministria

Pas deklaratave të aksionarit më të madh të FC Prishtinës, Rrahman Haradini për “Gazetën Express” se klubi kryeqytetas gjendet në krizë financiare, një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe drejtori gjeneral i këtij klubi, Artan Osmani.

Ky i fundit, në një bisedë me “Express” ka sqaruar se problemet financiare që e kanë kapluar klubin më të madh në vend e kanë zanafillën kryekëput nga moslicencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës nga Ministria e Sportit.

Kjo ka bërë që Bardhekaltrit të mos mund të llogarisin në mbështetjen e donatorëve qe tre muaj, pasi atyre u janë bllokuar lehtësimet në tatime, të parashikuara me ligj pasi për futbollin është “bllokuar” tash e disa muaj Ligji i Sponsorizimeve, derisa Federata mbetet e palicencuar.

Osmani lutet që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt pasi në këtë rast po e pësojnë më së shumti klubet, e në këtë rast edhe FC Prishtina, e cila ka shpenzime enorme vjetore.

“Moslicentimi i Federatës i ka krijuar problemet kryesore financiare të Prishtinës, por edhe të klubeve të tjera. Që prej 15 dhjetorit nuk kemi qenë në gjendje të marrim të hyra shkaku i moslicencimit të Federatës së Futbollit. Ne varemi kryekëput nga të hyrat e donatorëve dhe ato na janë ndalur tash e sa muaj për fajin e Federatës. Për këtë arsye dha dorëheqje edhe kryetari Hakif Gashi. Unë po lutem që FFK-ja të licencohet sa më shpejt, pasi aty e shohim shpëtimin, por që i kam dyshimet e mia pasi nuk kam parë ndryshime të theksuara të komenteve, të kërkuar nga Komisioni për Licencimin e klubeve”, u shpreh Osmani për “Express”.

“Ne, komplet stafi, punën kryesore e kemi të merremi me afrimin e donatorëve, sponsorëve, të cilët fatkeqësisht na janë trembur pasi nuk është në funksion në futboll për momentin Ligji i Sponsorizimeve. Ne s’po mund as të luajmë në stadiumin tonë e as të llogarisim në sponsorë. Praktikisht, jemi duke u sjell, herë këndej e herë andej”, vazhdoi ai.

Sipas tij, prishtinasit i kanë plotësuar kriteret e licencimit, njëjtë si më shumë se gjysma e klubeve, prandaj, insiston ai, klubet nuk janë problemi dhe askush s’duhet ta vë gishtin kah ta, por kryekëput moslicencimi i FFK-së në MKRS.

FC Prishtina e shkarkoi sot trajnerin Ismet Munishi shkaku i mungesës së rezultateve, e ndërkohë dha dorëheqje kryetari Hakif Gashi, me arsyetimin se nuk mundi të koordinohej me aksionarët e klubit rreth së ardhmes së prishtinasve

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments