Komuna e Prizrenit po vazhdon t’u jep punë kompanive të caktuara, duke i favorizuar kundërligjshëm në tenderë të ndryshëm.
Para pak muajve, Komuna e Prizrenit nëpërmjet një gare të hapur të prokurimit angazhoi kompaninë “Asim Thaqi. BL” për të realizuar projektin “Ngritja e pemishtes me pemë arrore me participim”. Për këtë, kompania u pagua 90 mijë e 865 euro.
Duke konsideruar se projekti duhet të vazhdohet, me një pjesëmarrje më të madhe, pas pak javëve, komuna hapi një tjetër ofertë për qëllimin e njëjtë, dhe nxori fitues të projektit kompaninë e njëjtë me një çmim prej 44 884,40 eurove, shkruan lajmi.net.
Prokurimi komunal eliminoi nga gara, kompaninë që kishte çmim më të lirë “Semenarna”.
“Libreza e traktorit është me afat të skaduar”. Ky ishte arsyetimi i vetëm i komunës i dhënë ndaj kompanisë më të lirë, kur e eliminoi nga gara.
Mirëpo, sipas dokumenteve të ngarkuara në E-prokurim, dhe vetë deklarimeve të kompanisë, ky operator kishte ngarkuar gabimisht librezën e vjetër të traktorit, pasi kishte librezë të re me validitet deri në vitin e ardhshëm dhe se data e validitetit ishte e para ofertimit në këtë prokurim.
Duke mos u pajtuar me këtë vendim, me datën 1 tetor OE “Semenarna”, ka parashtruar ankesë, kundër vendimit të Komunës, duke e ja bashkangjitur edhe librezën me validitet të traktorit.
Po sipas dokumenteve të ngarkuara në E-prokurim për këtë projekt, Komuna ja ka refuzuar ankesën kompanisë duke shkruar se: “1. Ju jeni eliminuar sepse keni ofruar librezë për pajisjen teknike e cila ka qenë me afat të skaduar. Ligji për prokurim publik neni 72 pika 3 thotë se mund të kërkohen informata për dokumentet të cilat objektivisht mund të verifikohet se kanë qen të krijuara para hapjes së ofertave. 2. Ju në kërkesën për rishqyrtim keni cek se keni gabu e keni ngarku gabimisht librezën e skaduar dhe se kësaj kërkese ia bashkangjisni librezën me afat të rregullt, Por që as në këtë rast nuk e keni bashkangjit librezën për të cilën ju pretendoni se është në rregul (mund ta kontrolloni kërkesën tuaj për rishqyrtim dhe ta vëreni se aty nuk ka librezë të bashkangjitur”.
Menjëherë pas këtij vendimi, kompania është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP. Ky organ e ka autorizuar ekspertin e vetë, Ilir Halili. I njëjti ka gjetur se komuna nuk e ka thënë të vërtetën lidhur librezën, duke konstatuar se kjo kompani e ka ngarkuar në e-prokurim librezën valide në kërkesën për rishqyrtim. “Pas hulumtimit të platformën E-Prokurimi, kemi gjetur se OE ankues kërkesën për rishqyrtim e ka bërë me 23.09.2021 në ora 12:04, si dhe dokumentin shtesë-librezën e ka ngarkuar të njëjtën kohë me 23.09.2021 në ora 12:05. Pas analizimit të dokumentit, kemi gjetur se libreza e traktorit ka afat deri me 29.06.2022. Duke u nisur nga fakti se afati i regjistrimit është deri me 29.06.2022, si dhe fakti se në Kosovë regjistrimi bëhet për 12 muaj, konform nenit 72 par.3 në mënyrë objektive mund të verifikohet se dokumenti në fjalë ka ekzistuar para hapjes së ofertave. Bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues duhet të aprovohet e bazuar: në të njëjtën kohë anulohet vendimi i AK dhe lënda kthehet në Rivlerësim”, thuhet në vendimin ekspertit të OSHP.
Aktualisht, komuna e ka pezulluar këtë procedurë të prokurimit.
Lajmi.net ka gjetur se pronari i kompanisë “Asim Thaqi. BL”, ka qenë kandidat nga AAK për asamble në zgjedhjet lokale të vitit 2017 për Kuvendin e Komunës së Prizrenit.