Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova“Faturat e fryra” të rrymës – opozita kërkon llogaridhënie nga Qeveria dhe...

“Faturat e fryra” të rrymës – opozita kërkon llogaridhënie nga Qeveria dhe hetim urgjent

Qytetarët të cilët këto ditë kanë pranuar faturat e rrymës, janë ankuar për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Si rrjedhojë e ankesave të shumta nga qytetarët, kanë reaguar edhe partitë opozitare dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke kërkuar nga Prokurori e Shtetit që këtë çështje ta hetojë me urgjencë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare.

“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri madje ka kërkuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj të merret me çështjen e faturave të energjisë elektrike.

“Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, ka shkruar Tahiri.

Për “faturat e fryera” ka reaguar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tarifat e energjisë elektrike, herën e fundit, janë rritur nga prilli i këtij viti”.

“Para kësaj, ishin rritur edhe dy herë të tjera. Pra gjithsejtë 3 herë për 3 vjet. Gjendja e tanishme është produkt i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend. Siç dhe thoshin vet, ‘qytetarët po shpenzojnë shumë sepse rryma është e lirë’”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur qeverinë Kurti qeveri të mashtruesve dhe të paaftëve.

Tahiri ka thënë se Kosova po shkon drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë të jenë mes 250 e 350 euro.

“Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë të martën se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mos subvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.

KESCO tha në një njoftim se nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës prej rritjes së fundit prej 15 për qind më 1 prill të këtij viti.

“Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve”, tha KESCO. /

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments