Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është intervistuar sot nga policia, për deklaratën që bëri dje për kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast tha se më parë do ta vriste atë, sesa ta lëshonte Kosovën.
Pas intervistimit, Klinaku bëri të ditur se kjo deklaratë e tij është nxjerrë nga konteksti.
Teksa theksoi se nuk e ka në plan të japë dorëheqje, pavarësisht kërkesave që po i bëhen.
“Sapo dola nga stacioni policor. Me urdhër të prokurorit u intervistova lidhur me deklaratën. Siç e thashë edhe në polici, ajo deklaratë është nxjerrë prej konteksti. Kaq mund të them për media. E sa i përket kërkesave për dorëheqjen time nga drejtimi i OVL UÇK-së, hiç në plan nuk e kam. Nuk më kanë zgjedhur ata që po kërkojnë dorëheqjen time, por anëtarët e organizatës së veteranëve”, bëri të ditur ai.
Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku ndër të tjerash ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Për këtë deklaratë, ka reaguar sot edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili është shprehur se e njëjta ka qenë kërcënim i hapur dhe si e tillë është e papranueshme./teve1/