Familja heroike Jashari nuk njihet vetëm si simbol i Lirisë në Kosovë.
Në mesin e pasardhësve të komandatit Adem Jashari, po rritet një futbollist i ri.
Për ata që e njohin, për trajnerin, ai është një yll futbolli në ardhje.
Bëhet fjalë për nipin e Rifat Jasharit, Igballin.
“Unë mendoj që në të ardhmen të depërtojë në arenën ndërkombëtare, të bëhem yll futbolli dhe të luaj për Kosovën A.
Kam qenë fans i Real Madridit, por pasi Ronaldo shkoi në Juventus, tash jam fans i Juventusit” deklaroi Jashari për Indeksonline.
Igballi ushtron në shkollën e futbollit ‘Kurda’ nga e cila kanë dalë futbollistë të njohur si Milot Rashica e Milot Avdyli që tashmë po dëshmonen edhe në futbollin evropian.
Trajneri Mehmet Kurda, flet për cilësitë e 15 vjeçarit dhe mendon se mund të arrijë lartë në futboll.
“Igballi është 15 vjeç e gjysmë, është një lojtar mjaft premtues.
Atë e njohim të gjithë që vjen nga familja Jashari, përkatësisht nipi i Rifat Jasharit.
Ai është pjesë e shkollës tonë që 4 vite e gjysmë, vjen nga Prekazi, është futbollist i rregullt.
4 herë në javë ushtrojmë, nuk mbaj mend të ketë munguar ndonjëherë.
Është mjaft i disiplinuar, e don këtë punë.
Ky ja ka vënë vetës një qëllim, për me arritë.
Karakterizohet me një shpejtësi të hatashme, është shumë luftarak në fushë.
Është shumë punëtor, golashënuesi më i mirë në skuadër.
Në 10 ndeshje ka shënuar 10 gola”
Kush prej familjes Jashari është marrë me futboll?
“Kemi lujtë të gjithë djemtë e mixhës futboll, ata e kanë lënë ndërsa unë e kom vazhdu.
I kam pas disa shokë, më kanë tregu që trajneri Kurda bën një punë shumë të mirë.
Ushtrimet i vijojë që 4 vite në këtë shkollë dhe jam shumë i kënaqur me punën që bën trajneri” thotë Jashari.
Kurda deklaroi se Leipzigu dhe Stuttgarti kanë shprehur interesim për shërbimet e Jasharit dhe së shpejti ai do të transferohet në Gjermani.
“Ka 2 muaj që CV-ja dhe videoinqizimet e Igballit kanë shku te Leipzigu dhe tjetra te Stuttgarti.
Ka edhe menaxherë që janë të dëshmuar të cilët kanë kërkuar ta afrojnë Igballin.
Mendoj që posa të hapet Gjermania, sepse e dimë që është mbyllur vendi tërëisht, posa të hapet besoj që Igballi do të lëvizë” përfundoi Kurda.