Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se ky vit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zgjerimin e BE-së dhe se u shpreh se pret raporte inkurajuese në Samitin e Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për agjencinë maqedonase MIA, Fajon ka theksuar se “zgjerimi është bërë imperativ gjeostrategjik”.
Ajo kujtoi gjithashtu detyrimin nga Forumi Strategjik i Bled-it që Evropa të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Kosovo-online, transmeton Klankosova.tv.
“Nëse shikojmë se çfarë po ndodh rreth nesh, agresionin rus në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme, Bashkimi Evropian duhet të jetë i fortë, duhet të jetë i bashkuar, ne kemi një detyrim të qartë që shtetet të përgatiten për zgjerim deri në vitin 2030. dhe nga ana tjetër, unë dhe Sllovenia, ne përpiqemi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të gatshme dhe të aftë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se dëshiron të shohë fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe se priten negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
“Në këtë kontekst, është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hapin dhe të fillojnë negociatat konkrete me një konferencë të re ndërqeveritare”, tha ajo.