Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. Hajna herë të vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, madje edhe të rënda.

Cak i grabitjes ka qenë mbrëmë edhe pika e këmbimores së valutave ‘ExCoins’ në rrugën ‘Zija Shemsiu’, ku persona të armatosur dyshohet se kanë marrë një shumë të konsiderueshme të parave.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për dy persona të dyshuar, të cilët të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur rreth 10 mijë euro para të gatshme dhe më pas janë arratisur.

Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshmitë e punëtorëve që ishin në vendngjarje në momentin kritik dhe po ashtu kanë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha masat për të identifikuar të dyshuarit dhe për të lokalizuar vendndodhjen e tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ‘ExCoins’ ka rënë pre e grabitësve.

Ditën kritike, pronari i ‘ExCoins’ Valton Isufi, tha për Sinjalin se të dyshuarit janë futur në lokal me armë të gjata dhe kanë arritur të marrin 45 deri në 50 mijë euro.

“Ka ndodhur një grabitje, dy persona kanë hyrë me kallashë edhe ju kanë bo presion punëtorëve. Shuma përafërsisht është diku nga 45 mijë deri në 50 mijë që janë marrë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes”,  pati thënë ai.

E, tri javë pas ngjarjes së rëndë, Isufi pati kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacione që mund të dërgojnë deri në identifikimin e të dyshuarve, teksa ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook edhe pamjet nga kamerat e sigurisë ku shihen hajnat duke ikur me motoçikletë.

Për këtë, ai ka ofruar shpërblim në shumë prej 10 mijë eurosh për këdo që mund të ofrojë informacione që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarve.

Ndërsa për rastin e sotëm, Sinjali ka provuar që të marrë një prononcim nga këmbimorja ‘Ex Coins’, por të njëjtit s’kanë pranuar që të deklarohen.