Një ekip i specializuar prej gjashtë këshilltarësh policor i është shtuar EULEX-it që nga dje, si përforcim i misionit në Kosovë.
Përmes një njoftimi për media, EULEX njofton se ky ekip do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë.
“Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.
Dislokimi i këtij ekipi special do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa, siç ka thënë EULEX-i, “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.
Pjesëtarët e Ekipit Special të EULEX-it janë të dërguar tre nga Holanda dhe tre nga Suedia. Ata do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.
“Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren”, thuhet në njoftim.