Të paktën 50 persona, pjesa më e madhe e të cilëve fëmijë, kanë ndërruar jetë javët e fundit në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh.
BBC raporton se shumë prej tyre kishin temperaturë të lartë, dhimbje të kyçeve, dhimbje koke e dehidratim. Në disa raste, ata patën edhe skuqje të përhapura në këmbë e krahë.
Shumë persona të tjerë kanë përfunduar në spital me të njëjtat simptoma, ndërsa të gjithë kanë rezultuar negativ ndaj Covid-19.
Në një kohë kur vendi duket se po del nga vala e dytë me një numër mjaft të lartë vdekjesh nga koronavirusi, ethet misterioze kanë përhapur panik në shtetin më të populluar të Indisë.
Mjekët në zonat e prekura besojnë se bëhet fjalë për një infeksion viral të përhapur nga mushkonjat, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Sipas zyrtarëve, mund të jetë një sëmundje tropikale, e cila ka qarkulluar në Indi prej qindra vjetësh, nga e cila fëmijët kanë gjasa të preken 5 herë më shumë se të rriturit.
“Pacientët, kryesisht fëmijë, po ndërrojnë jetë me shpejtësi në spitale”, thotë dr. Neeta Kulshrestha, drejtuese e shëndetësisë në Firozabad, ku 40 persona, përfshirë 32 fëmijë, kanë vdekur javën e kaluar.