Kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Esat Raci, sonte ka takuar banorët e fshatrave Përçevë, Sferkë, Volljakë dhe Gremnik të Klinës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Raci ka thënë se janë bashkuar me subjektet tjera politike në Klinë për t’u prirë së bashku ndryshimeve që po i kërkojnë qytetarët e kësaj komune.
Raci ka premtuar qeverisje më të mirë, më dinamike, më të përgjegjshme dhe zhvillim ekonomik më të prekshëm e më të matshëm për qytetarët dhe komunën e Klinës.
“Jemi bashkuar për ta ndryshuar Klinën, vendlindjen tonë, vendbanimet tona. Jemi bashkuar, duke i lënë anash dallimet politike, sepse Klina është e para dhe së bashku do u prijmë ndryshimeve që i kërkon koha dhe qytetarët e Klinës. Në Përçevë, Sferkë, Volljakë dhe Gremnik pashë shumë entuziazëm për fitoren tonë. Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që i kemi përpara dhe i kam hyrë kësaj gare, sepse jam i bindur që Klinës mund t’ia ofroj një qeverisje më të mirë, më dinamike, më të përgjegjshme dhe zhvillim ekonomik më të prekshëm e më të matshëm për qytetarët dhe komunën tonë. Më 14 nëntor votoni për ndryshimin, për shanse të reja dhe për më shumë mundësi zhvillimore për të gjithë klinasit. Bashkë për Klinën dhe zhvillimin e saj”, ka shkruar Raci.