Erërat e forta që mbizotëruan të shtunën në Kosovë, kanë shkaktuar dëme në përçuesit elektrikë dhe në shtyllat elektrike të disa rajoneve.
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), njofton se rajonet më të prekura janë Ferizaj, Prishtina, Mitrovica dhe Peja.
“Ekipet e terrenit të KEDS-it ndodhen në vendngjarje të prishjeve dhe po punojnë intensivisht deri në sanimin e dëmeve të shkaktuara në rrjet”, thuhet në njoftimin për media.
KEDS-i ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve dhe i ka siguruar ata se prishjet në rrjet si shkak i erërave do të rregullohen sa më shpejt që është e mundur.
Ndryshe, në Kosovë të shtunën janë paraqitur erëra të forta, të cilat janë përcjellë edhe me reshje bore. Në disa video të publikuara në faqen zyrtare në Facebook të MeteoBallkan dhe MeteoKosova janë parë erërat e forta në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.