Epidemiologia Adriana Gjini ka folur për situatën me COVID-19 në Evropë dhe veçanërisht edhe në Kosovë.
Ajo tha se sikurse në mbarë Evropën ashtu edhe në Kosovë një valë e re e COVID-19 është e pashmangshme.
“Kurrsesi nuk duhet të lirohemi se jemi në pozitë të mirë, në Kosovë shkalla e vaksinimit nuk është e kënaqshme. Vala e re e COVID-19 edhe në Kosovë është pothuajse e pashmangshme”, u shpreh ajo në “Info Magazinë” në Klan Kosova.
Ajo tregoi se cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të reja me koronavirus, përcjell Klankosova.tv.
“Faktor të një vale të re të virusit COVID-19 është edhe ardhmja e dimrit, koha ftohtë vetëm ka filluar në Evropë. Masat që ishin në fuqi, tashmë në shumicën e vendeve janë liruar, siç është hapja e lokaleve, shkuarja e njerëzve në pushime ndikon që numri i të infektuarve të fillojë të zmadhohet”, tha ajo.
Tutje, Gjini u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen me të dyja dozat.