Saturday, November 23, 2024
HomeTjeraKuzhinaËMBËLSIRË ME MIELL MISRI DHE LËNG PORTOKALLI, RECETA ME SHIJE DELIKATE

ËMBËLSIRË ME MIELL MISRI DHE LËNG PORTOKALLI, RECETA ME SHIJE DELIKATE

Nëse dëshironi një ëmbëlsirë të shijshme dhe me aromë të mirë, kjo recetë është pikërisht ajo që kërkonit.

 

Nuk keni nevojë për vezë, qumësht apo kos. Mjafton të keni miell misri, sheqer dhe portokalle në shtëpinë tuaj.

Hapat e përgatitjes janë aq të lehtë sa mund ta bëj kushdo, madje edhe ata që e quajnë veten fillestarë.

Për diçka ndryshe dhe me shije të mirë, AgroWeb.org ju sugjeron këtë ëmbëlsirë.

Ndiqni hap pas hapi këshillat dhe do të mrekulloheni me shijen e përkryer të saj.

Përbërësit

540g miell misri

200g sheqer

1 lugë çaji vanilje

20g fryrës ëmbëlsirash

lëkura e një limoni

200ml vaj ulliri

300ml lëng portokalli

Për sherbetin

400ml ujë

400g sheqer

Lëngu dhe lëkura e një limoni

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që miellin para se ta përdorni kalojeni në sitë.

Kështu brumi i ëmbëlsirës suaj do të ketë më shumë ajër e do të bëhet më i butë.

Hidheni miellin në një tas dhe aty përziejeni me sheqerin, fryrësin e ëmbëlsirave dhe vaniljen.

Më pas shtoni vajin dhe me një lugë përziejeni ngadalë sa të lidhen përbërësit.

Nëse brumi është i fortë, nuk ka problem pasi keni ende për të shtuar lëngun e portokallit.

Kini kujdes që kur të shtrydhni portokallet, të largoni bërthamat e tyre, pasi do të hidhëronin ëmbëlsirën.

Lëngun e portokalleve shtojeni duke e ndarë në tri pjesë.

Pasi të keni formuar brumin e ëmbëlsirës kaloni në një tavë të lyer me vaj.

Mbulojeni tavën me një pecetë dhe lëreni të pushojë për 1 orë.

Kështu mielli do të përthithë të gjithë lëngjet dhe brumi do të dalë siç duhet.

Kur te ketë kaluar koha, futeni ëmbëlsirën për t’u pjekur në furrën e parangrohur me 180 gradë.

Piqeni për 30-35 minuta, ose derisa sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë të artë të thellë.

Ndërkohë që buka e ëmbëlsirës ftohet përgatisni sherbetin.

Në një tenxhere përzieni 400ml ujë dhe 400g sheqer.

Kur kokrrizat e sheqerit të jenë tretur plotësisht, atëherë vendoseni në zjarr.

Sapo të shikoni të formohen bulëza në sipërfaqen e sherbetit shtoni lëngun e një limoni dhe lëkurën e tij.

Lëreni që sherbet të ziejë mirë dhe më pas hidheni të nxehtë tek ëmbëlsira e ngrohtë.

Buka do të përthithë menjëherë sherbetin, dhe duke qenë e ngrohtë ajo nuk do të forcohet.

Shërbejeni pasi të jetë ftohur mirë, dhe sherbetin ta ketë thithur pothuaj të gjithin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments