Ndërkohë, sipas një studimi, doza e tretë mund të mos jetë e nevojshme për të gjithë njerëzit.
Agjencia Europiane e Barnave EMA ka miratuar përdorimin e dozës së tretë të vaksinave te personat me imunitet të dobët.
Lajmi u publikua këtë të hënë përmes një deklarate zyrtare, në të cilën theksohet që doza e tretë duhet të aplikohet pasi të kenë kaluar 28 ditë pas dozës së dytë.
Rekomandimi vjen “pasi studimet treguan se një dozë shtesë e vaksinave Pfizer dhe Moderna rrit aftësinë për të prodhuar antitrupa kundër virusit Covid-19 te pacientët me sistem imunitar të dobësuar”,- thotë EMA.
Ndërkohë, sipas një studimi, doza e tretë mund të mos jetë e nevojshme për të gjithë njerëzit.
Për Laboratorin Neuroimunologjik të spitalit Santa Lucia IRCCS në Romë, doza e dytë e vaksinës anti-Covid prodhon jo vetëm përgjigjen e antitrupave, por gjithashtu krijon kujtesën imunologjike, të aftë për të mbrojtur personin në një afat të gjatë.
Studimi konfirmon praninë e limfociteve T të kujtesës për të paktën 6 muaj nga doza e parë e vaksinës, duke konfirmuar zhvillimin e një përgjigjeje qelizore që ruhet me kalimin e kohës.
Prandaj, për subjektet e shëndetshme, studiuesit vërejnë se doza e tretë e vaksinës mund të mos jetë e nevojshme.