Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaElmi Reçica thotë se nuk i kujtohet nëse Driton Çaushi kishte hedhur...

Elmi Reçica thotë se nuk i kujtohet nëse Driton Çaushi kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvend

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica ka thënë se nuk i kujtohet nëse i akuzuari Driton Çaushi kishte hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Politikë të Jashtme, në gusht të 2016-ës.

Një deklarim të tillë, Reçica e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku ish-deputeti i Vetëvendosjes Driton Çaushi po akuzohet se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare kryetarin e Kuvendit dhe deputetët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Saktësisht nuk më kujtohet kush ka hedh gaz lotsjellës, vetëm e di që ka pas një reagim të shpejtë, ka pas tym, nëpër tym e kemi votu çështjen për të cilën është mbledh komisoni pastaj kemi dalë shumë shpejt sepse ka qenë e pa mundur me qëndru në sallën ku është mbajt takimi i këtij komisioni”, deklaroi Recica.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Besart Musatafa, dëshmitari Reçica deklaroi se më 9 gusht 2016 kishte marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Politike të Jashtme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, pasi që i njëjti ishte kryetar i këtij komisioni.

Ai ka thënë se i kujtohet që në atë takim ishte hedhur gaz lotsjellës për pengimin e zhvillimit të atij takimi.

Ndërsa për të akuzuarin Çaushi ka thënë se nuk i kujtohet që i njëjti kishte marrë pjesë në këtë komision, pasi që sipas tij Çaushi nuk ishte anëtar i këtij komisioni.

“Sa më kujtohet mua, deputeti i atëhershëm nuk ka qenë pjesë e komsonit, sa më kujtohet”, tha Reçica.

Lidhur me këtë, prokurori Mustafa e ka njoftuar dëshmitarin se i akuzuari kishte qenë në atë mbledhje dhe se për këtë janë video-incizimet.

“Derisa sa keni qenë duke e udhëheq seancën e Komisionit për Politikë te Jashtme nga video incizimet shihet se në anën e majtë tënde në vendin ku ka qenë i ulur edhe i pandehuri, atëherë deputet i Kuvendit te Kosovës është hedh gaz lotsjellës”,  tha prokurori Mustafa.

Reçica ka deklaruar se me rregullore ka qenë e mundur që të marrin pjesë edhe deputetë tjerë në këto takime edhe deputet që nuk janë anëtarë të komisionit, por të njëjtit kanë mundur të ulen më larg anëtarëve të komisionit.

Në fund Reçica ka shtuar se derisa ai ishte në këtë pozitë, ky ishte rasti i vetëm kur ishte hedhur gaz lotsjellës, ndërsa sipas tij në sallën për seancën plenare ka pas dhjetëra herë të hedhjes së gazit lotsjellës.

Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtës së të akuzuarit Çaushi, i cili ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

“Unë preferoj me u mbrojt në heshtje, i qëndroj prapa deklarimit tim rreth fajësisë pasi që nuk e di veten fajtor”, tha i akuzuari Çaushi.

Pas deklarimit të të akuzuarit rreth mbrojtjes së tij, është dhënë fjala përfundimtare nga prokurori Mustafa, i cili gjykatës i ka propozuar që Çaushin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit si dhe të marrë parasysh rrethanën se Çaushi veprën penale e ka kryer për qëllime të pakënaqësisë politike dhe jo motive personale.

Prokurori Mustafa deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas dëgjimit të dëshmitarëve, e veçanërisht dëshmitari Reçica, administrimit të provave dhe nga video-incizimi është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri Çaushi ka kryer veprat penale që i vihen në barrë.

Gjithashtu në fjalën përfundimtare të tij, prokurori Mustafa ka bërë edhe precizimin e aktakuzës ashtu që në vend të datës 10 gusht 2016 ,sipas tij duhet të jetë 9 gusht 2021, ora 11:55 si dhe ka shtuar fjalën “me dashje”.

Po ashtu, prokurori Mustafa ka bërë precizimin e aktakuzës pasi që sipas tij tek pjesa “personat zyrtar, dëshmitarët Kadri Veseli, Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj,” duhet të jetë deputetë e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 12 tetor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit, ku thuhet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Prokuroria gjithashtu e ngarkon Çaushin edhe me veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar-dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments