Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaEksperti financiar thotë se nuk ka prova se i akuzuari, zyrtari i...

Eksperti financiar thotë se nuk ka prova se i akuzuari, zyrtari i Postës ka përvetësuar mbi 71 mijë euro

Eksperti financiar Remzi Smajli, njëherësh edhe kryetar i komisionit të eksperteve për hartimin e ekspertizës, ka deklaruar se në plotësimin e ekspertizës së tij ka konstatuar se nuk ka pasur prova për të konstatuar mungesën e mjeteve prej 71.744 euro, për të cilat mjete zyrtari i Postës së Kosovës, Enver Ajeti, akuzohet se ka bërë përvetësimin e tyre.

Këtë deklarim eksperti Smajli e ka bërë të premten, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rigjykimin ndaj zyrtarit të Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili akuzohet për përvetësimin e mbi 71 mijë eurosh.

Prokuroria e ngarkon Ajetin, me veprën penale të “Përvetësimit në detyrë”, pasi pretendon se ai si person zyrtar i Postës së Kosovës, nuk i ka dorëzuar në bankë pazaret ditore  duke përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro.

Duke e sqaruar dhe elaboruar ekspertizën e tij, eksperti Smajli ka thënë se kjo ekspertizë është  përpiluar në bazë të detyrave të dhëna nga Gjykata, duke u bazuar në shkresat e lëndës si dhe deklarimet e palëve.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Ajeti, avokatit Hamdi Podvorica, ai ka thënë se qëndron në tërësi pranë ekspertizës së përpiluar me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shtetit, Shkëlzen Ibrahimi, eksperti ka thënë se këtë ekspertizë e kishte punuar si ekspert i pavarur së bashku me grupin e tij të ekspertëve të cilët sipas tij kanë edhe institut për hartimin e ekspertizave financiare.

Tutje, eksperti Smajli po ashtu ka thënë se në ekspertizën fillestare kanë pasur mungesë të dokumentacioneve, ndërsa sa i përket plotësim ekspertizës të cilën e ka përpiluar me vonë ai ka thënë se janë pajisur me të gjitha dokumentacionet e nevojshme.

Lidhur me detyrat e kontrollerit, konkretisht të pandehurit në këtë rast, eksperti ka thënë se këto detyra janë të përshkruara më hollësisht në kontratën e punës më të cilën kontratë edhe ka themeluar marrëdhënie pune i akuzuari Ajeti.

Prokurori Ibrahimi, ka kërkuar nga eksperti të deklarohet lidhur me hapjen e arkës nga ana e komisionit të Postës, pasi që sipas tij, eksperti sot u deklarua se i pandehuri nuk ka qene prezent dhe i njëjti ka qenë i sëmurë, ndërsa sipas prokurorit të gjitha shkresat e lendes përfshi edhe dëshmitarët tregojnë se ai ka qenë prezent dhe se komisioni në prezencë të pesë anëtareve e ka hapur arkën.

Lidhur me këtë eksperti ka deklaruar se të gjitha konstatimet në ekspertizë janë burim nga deklaratat e palëve dhe dokumentacionit të poseduar dhe se sipas tij, i akuzuari Ajeti, i është shmang raportimit të drejtpërdrejtë me arsyetimin se i është keqësuar gjendja shëndetësore.

“Të gjitha konstatimet në ekspertizë janë burim nga deklaratat e palëve dhe dokumentacionit që konsiston edhe ne faqen 4, duke bërë përshkrimin e rastit ku thuhet se: kur komisioni operativ i Postes ka ushtruar kontroll në regjistrimin e pikës së shtijës në Podujevë, kontrollori iu është shmangur raportimit të drejtpërdrejtë, duke u larguar nga vendi i punës me arsyetimin se i është keqësuar gjendja shëndetësore deri sa i njëjti ka qenë në spital, është në shkresat e lëndës” tha eksperti financiar.

Lidhur me atë se çka është dashur të bëjë komisioni në mungesë të personit përgjegjës konkretisht të të akuzuarit Ajeti, eksperti ka thënë se këtë çështje e precizon rregullorja e brendshme e secilit biznes, por sipas tij komisioni është dashur ta blombojë arkën dhe ta pres personin përgjegjës, konkretisht të akuzuarin Ajeti.

Ndryshe, kjo seancë është përcjellë me kundërshtime dhe vërejtje të mbrojtjes lidhur me pyetjet e parashtruar nga ana e prokurorit Ibrahimi.

Seanca e sotme është ndërprerë me arsyetimin se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla është kujdestar dhe ka seanca për caktim të paraburgimit.

Seanca e radhës është caktuar me 10 dhjetor 2021, ku sërish do të vazhdohet me dëgjimin e ekspertit Smajli.

Ky gjykim aktualisht kryesohet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi, derisa paraprakisht ishte kryesuar nga gjykatësjaVioleta Namani, derisa nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili e kishte gjykuar këtë rast herën e parë, është pensionuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të viti 2018, e kishte dënuar me një vit burgim efektiv, ish-zyrtarin e Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili akuzohej për veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

Në aktgjykimin e shpallur, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i akuzuari Ajeti ishte dënuar edhe me 1 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar që të paguante shpenzimet e procedurës.

Po ashtu, ai detyrohej që në bazë të kërkesës pasurore juridike, Postës së Kosovës t’i kompensonte shumën prej 36 mijë e 376 euro, e që realizmi i këtij kompensimi ishte udhëzuar të zhvillohet në kontest civil.

Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se gjykata ka dështuar të vërtetojë se sa ka qenë shuma e dëmit që i akuzuari Ajeti thuhet se e ka përvetësuar.

Sipas Apelit, ekspertizat e bëra nuk përputhen njëra me tjetrën dhe janë kundërthënëse sepse nga tri ekspertiza paraqiten shifra të ndryshme sa i përket mosdeponimit të pazareve ditore në bankë, e që për këtë sipas Apelit, është dashur të bëhej një ekspertizë e re nga një institutin i specializuar që të hiqen dilemat se cila realisht kishte qenë shuma e dëmit të shkaktuar.

Gjykata e Apelit e ka obliguar Gjykatën Themelore që të mënjanojë shkeljet esenciale dhe që për rastin të bëjë edhe një super- ekspertizë e më pas të merret vendimi për çështjen.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments