Hetimi disa mujor i Policisë për identifikimin e disa personave që dyshohen për një numër goxha të madh të vjedhjeve të rënda në komunën e Ferizajt, ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve dhe sekuestrimin e provave gjatë operacionit që u zhvillua dje pasdite në fshatin Bibaj. Të dyshuarit tashmë janë nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë

  • Përparim Kosumi 36-vjeçar
  • Ahmet Xhemajli 23-vjeçar
  • Avni Kosumi 30-vjeçar

Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se fillimisht dje është arrestuar Xhemajli, ndërsa mëngjesin e sotëm janë arrestuar edhe Përparimi dhe Avniu.

Treshja dyshohet se janë përfshirë në disa raste të vjedhjeve të rënda në disa shtëpi banimi, kryesisht të mërgimtarëve dhe në disa biznese në qytetin e Ferizajt, duke përfshirë këtu fshatrat: Greme, Varosh, Dardani, Sazli dhe në lagjen ‘Panorama’ në Ferizaj.

Ndërsa si prova materiale janë sekuestruar:

  • 3 vetura
  • 1 armë zjarri ,pushkë automatike
  • 3 armë zjarri ( pistoleta)
  • Sasi e municionit
  • 1 dron
  • 3 palë dylbi
  •  3 radiolidhje dhe disa bateri dore që ndërlidhen me rastin e vjedhjeve të rënda.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre dhe brenda afatit ligjor do të parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Të njëjtit do të hetohen për veprat penale ‘Vjedhje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.