Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Arllat të Drenasit janë arrestuar tre persona.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë Granit Bytyqi, Gentian Bytyqi dhe Enver Bytyqi.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 20:00 në fshatin Arllat, në afërsi të një restoranti, kur të dyshuarit janë kapur mes vete, duke e sulmuar njëri – tjetrin me grushte.
Siç merr vesh Sinjali, në përleshje dyshohet se është përdorur edhe një shkop druri.
Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, atyre u është caktuar masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Janë arrestua tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjti pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes veti dhe si pasojë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Tre të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.