Policia serbe arrestoi dje një mërgimtar që jeton në Angli me pretendimet se i njëjti ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe.
Bëhet fjalë për Sadik Durakun, nga fshati Damjan i Komunës së Gjakovës i cili jeton në Angli.
Gjatë ditës, Indeksonline kontaktoi me avokatin e Durakut, Savo Grujiq, i cili konfirmoi gjendjen e mirë shëndetësore të Durakut, duke shtuar se me rastin e tij do të merret tani e tutje një tjetër avokat.
Grujiq deklaroi se Duraku do të dilte përpara organeve të drejtësisë në ora 17:00.
“Ai është në gjendje të mirë! Nuk e di nëse do ta lirojnë sot apo do ta mbajnë akoma në masën e paraburgimit. Nga sot, rastin e ka marrë një koleg i imi. Familjarët e kanë zgjedhur avokatin tjetër, përmes disa të njohurve të tyre. Ai ngarkohet me akuzën se, së bashku me një grup njerëzish, në vitet ’98-99, ka qenë pjesë e UÇK-së. A është kjo e vërtetë apo jo, po hetohet! Është duke u marrë në pyetje nëse pretendimet janë të vërteta. Nuk është i akuzuar e as nuk është duke i gjykuar. Ai ka disa fakte që në atë kohë ishte jashtë vendit” përfundoi Grujiq.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me avokatin e ri të Durakut, Goran Petronijeviq, i cili tha se klienti i tij ka mbajtur seancë përpara prokurorit dhe ka dhënë deklaratën e tij.
“Sadik Duraku gjatë kësaj dite ka mbajtur seanca para prokurorit dhe ka dhënë mbrojtjen e tij, e më pas edhe para gjyqtarit, i cili fatkeqësisht paraqiti arsyet si shtetësia e huaj me vendbanim të panjohur në këtë vend, përfshirë dhe frikën e ndërhyrjes në hetim duke ndikuar te dëshmitarët dhe, akoma më shumë për arsyet se kjo situatë mund të ngrejë shqetësimin e publikut. Ndonëse në mënyrë të arsyeshme debatuam kundër kërkesës së këtij prokurori, gjykata e dërgoi atë në paraburgim, i cili mund të zgjasë deri në 30 ditë. Të hënën sigurisht që do ta apelojmë këtë vendim.
Mos u shqetësoni, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe në duar të mira. Mjeku e ka ekzaminuar dhe ka konfirmuar se ai po merr rregullisht mjekim. Bazuar në informacionin që kam marrë nga klienti im, jam shumë i sigurt se ky është rasti i një gabimi personalisht. Emri dhe mbiemri i tij janë shumë të shpeshtë në popullatën shqiptare në Kosovë” ka thënë avokati Petronijeviq.