Njohësit e ekonomisë thonë se Qeveria Kurti e ka lënë punëtorin e sektorit privat në mëshirën e punëdhënësit.
“Punëtori po mbetet vetëm në mëshirën e punëdhënësit dhe kjo nuk i bën nder as ekonomisë e as punëtorit. Të rinjve në Kosovë u janë shuar shpresat se do të bëhet mirë. Nuk ka investime kapitale të cilat janë frymëmarrje për bizneset dhe kur biznesi frymon atëherë vërehet gjallëria edhe te punëtorët”, deklaroi Gërxhaliu në një prononcim për Telegrafin.
“Kosova nuk bën të shndërrohet në shtet social. Duhet të kemi qëndrueshmëri ekonomike dhe pa një sektor privat të fuqishëm është e pamundur të arrihet kjo objektivë. Por, si duket kjo nuk është prioritet. Sektori privat më shumë po goditet se sa që po ndihmohet”.
Mes tjerash, ai u shpreh se Kosova ndodhet në një situatë kur kreditë e këqija do të rriten dhe do të ketë kompani të falimentuara.
“Inflacioni në Kosovë ka arritur kulminacionin. Çdo mbështetje për qytetarët duhet të përshëndetet, por është shqetësues fakti se Kosova nuk e ka pranuar që ka krizë ekonomike. Kjo është arsyeja pse jemi këtu ku jemi. Fatkeqësisht edhe kriza është politizuar”, tha ekonomisti Gërxhaliu.
“Për krizën po diskutohet vetëm në aspektin ekonomik dhe social, por jo edhe atë emocional. Nuk është e lehtë të jesh qytetar i Kosovës në këtë kohë dhe të përballosh këtë krizë. Prandaj, kam drojë se është një hap që dëshiron të fitojë në kohë se sa që është zgjidhje e problemit”.
Njëjtë mendon edhe njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj. Ai thotë se përmes kësaj pakoje, Qeveria Kurti e ka dëshmuar më së miri që është amatere.
“Së pari po i bën dëm vetes dhe po e humb besimin e qytetarëve. Kur flasim për akuzën ndaj komunave (lidhur me listat e pagave), është një rast i keq dhe i paparë deri më tani. Kjo qeveri po sillet sikur të ishte ai represioni i viteve të 90-ta. Është e papranueshme dhe Qeveria duhet të ulet e të diskutojë me komunat dhe sindikatat”, deklaroi Kadriaj për Telegrafin.
Pakoja e re e prezantuar nga ekzekutivi nuk ka marrë mbështetjen as të ish-kryetarit tjetër të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Sipas tij, kjo pako është e nxitur nga presioni dhe paniku, si dhe ka për synim jo adresimin e problemit të inflacionit, por “paqen sociale afatshkurtër”, “pas menaxhimit amatoresk, me krizën energjetike dhe së fundmi me grevën në sektorin publik”.
“Sot, në vend që të shohim një plan serioz për parandalim të thellimit të krizës gjatë muajve të dimrit, ne po shohim edhe një veprim të radhës të shpërndarjes së parasë publike pa asnjë plan”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.
“Për pako të tilla, të shpërndarjes së parasë, në të majtë e në të djathtë, nuk na nevojitet të kemi as Kryeministër e as Qeveri. Do të mjaftonte një arkëtar dhe një zyrtar i thesarit”.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës përmes pakos së re, duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do të ndajë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajë shumën e njëhershme prej 100 euro. Për pensionistët do të ndajë shumën e njëhershme prej 100 euro (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesë duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.
Kryeministri përmendi edhe sektorin privat duke thënë se 80 për qind janë të punësuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni.
“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, bëri të ditur Kurti.
Përkrahje do të ketë edhe për studentët, ku siç u bë e ditur, do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.
Ndërkaq, ministri Hekuran Murati tha se subvencionimi i faturave të energjisë, shtesat në sektorin publik, ndihma e familjeve në asistencë sociale do të fillojnë këtë muaj, ndërsa procedimi i mjeteve për pensionistët do të bëhet në muajin tetor.