Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaEdhe dy muaj paraburgim për Enver Sekiraqën

Edhe dy muaj paraburgim për Enver Sekiraqën

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e të ndjerit Triumf Riza, në gusht të 2007-ës.

 

Vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi.

Kërkesa për ndërprerjen e kësaj mase dhe zëvendësimi me masën e arrestit shtëpiak për të akuzuarin Sekiraqa ishte propozuar nga mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi në seancën e mbajtur më 25 qershor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo kishte përmendur disa raste të rënda për të cilat të akuzuarit po mbrohen në liri, ndërsa sipas saj, i akuzuari Sekiraqa që nëntë vite vazhdon të mbetet nën masën e paraburgimit.

Sipas avokates Kelmendi, Sekiraqa për këtë rast gjendet ende në paraburgim, ndërsa të akuzuarit për vrasje të dyfishtë dhe plagosje të 11 qytetarëve dhe për shkaktim të dëmeve të mëdha materiale që kishte ndodhur në lokalin “Sekiraqa”, ende mbrohen në liri.

“Ne e kemi fituar besimin e gjykatës për zëvendësim e masës pa asnjë garanci edhe pse kemi ofruar hipotekë dhe ajo masë nuk është shkelë. Rikthimi i tij në qendrën e paraburgimit është bërë për shkak të një fotografie që është publikuar në shtëpinë e të akuzuarit, ku i njëjti kur është sjellë në shtëpi nuk ka pasur kontroll se kush po e pret në shtëpi, kjo nuk është shkelje”, kishte deklaruar Kelmendi.

Ajo e kishte lutur gjykatën që Sekiraqës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, pasi sipas saj, i njëjti nuk ka as dokument udhëtimi, as letërnjoftim dhe se nuk ekziston më bazë për arratisje e as për ndikim në dëshmitarë, pasi sipas avokates për këtë rast dëshmitarët ishin dëgjuar nga gjashtë herë.

Por, kërkesën e avokates Kelmendi nuk e ka marrë për bazë gjykatësi i këtij rasti Agim Kuci, i cili Sekiraqës ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 7 shtator 2021.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthente në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments