Kryeministri Albin Kurti përmes ministrit të tij të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vendosur që të shkarkojë Ekipin Menaxhues që ka shkruar draftin e statutit të Asociacionit.
Por ky shkarkim ka ndodhur vetëm pasi ky ekip i emëruar nga Kosova por i kryesuar nga bashkëpartiakja e Aleksander Vuçiqit e ka dorëzuar draftin e Statutit duke ia lënë kështu Kurtit edhe zyrtarisht në tavolinën e Brukselit, të cilin edhe vetë e ka quajtur “ dëshirë për një Republika Srpska”.
Ministri Krasniqi në njoftimin e tij për shkarkimin e anëtarëve të këtij Ekipi ka thënë se pas prezantimit të draft-statutit sipas përgjegjësive që këtij ekipi i ishin dhënë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 i njëjti ekip kishte mbetur pa status.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, ka shkruar ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ndërkohë që Kurti mbrëmë kur foli në Bruksel tha se ekipi me prezantimin e statutit është dekomisionuar ose zhveshur nga përgjegjësia.
Lidhur me këtë shkarkim të ekipit menaxhues ka pasur edhe reagime të shumta. Gazetari kosovar, Adriatik Kelmendi thotë se një vendim i tillë për shkarkim është i vonuar meqë sipas tij “dëmi i madh është bërë”.
“Shumë mirë që u shkarkua Ekipi Menaxhues për Asociacionin sot.Por ky shkarkim është i vonuar. Dëmi i madh është bërë.Kjo i bie si kur e di se një vrasës është nisur drejt shtëpisë tënde, ti ia hapë me vetëdije derën, ai e kryen vrasjen dhe ti pastaj e thërret policinë për ta burgosur. I vrari nuk kthehet në jetë më, pavarësisht çka ndodh me vrasësin”, ka shkruar Kelmendi, raporton Express.
Kelemendi tutje ka përmendur edhe deklarimet e Borell se bisedat e mëtejshme për Asociacionit do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ekipi i Danijela Vujcicit.
Gazetari kosovar ka potencuar tutje se s’është dashur në asnjë formë që të leohet prezantimi i një drafti nga një deputete që është betuar në Kushtetutë të Serbisë. Një zhvillim të tillë Kelmendi e ka quajtur si kundër historik.
“Nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë – Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova – të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës.Është ahistorike”, ka shkruar Kelmendi.
Lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkim ka reaguar edhe njohësi i zhvillimeve në vend dhe gazetari Ilir Mirena. Mirena ka shkruar se ky ekip është shkarkuar pasi e ka përpiluar draftin dhe pasi e kanë kryer punën.
“Draftin e Zajednices e kane perpilu. Dmth punen e kane kry, tash s’kane nevoje me ekzistu si ekip. Prandaj, i kane shkarku…”, ka shkruar Mirena.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur kundërshtinë e tij për draft-statutin e hartuar nga ekipi i Danijela Vujicic duke thënë se Kosova nuk e pranon në asnjë formë një të tillë. Në konferencën për media të mbajtur pas takimit me presidentin serb, Kurti ka treguar se ka prezantuar edhe draftin e tij të Asociacionit i inspiruar nga modeli kroat.
Ndërkohë në llogarinë e tij në “Twitter” pak pas mesnatës Kurti ka treguar vizionin e tij për Asociacionin, apo siç e quan implementimin e Nenit 7 dhe 10-të të Marrëveshjes Themelore.
“Sot ekipi menaxhues prezantoi një draft-statut të Asociacionit. Ata tashmë janë joaktiv. Unë thellësisht nuk jam dakord me draftin. Ai përfaqëson dëshirën për një Republika Srpska në Kosovë”. Ja vizioni që paraqita sot për zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Themelore”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë ende nuk dihet se cili do të jetë trajtimi që Bashkimi Evropian do t’ia bëjë një drafti të tillë, të prezantuar nga Ekipi Menaxhues që e ka emëruar Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë në mediat serbe është publikuar drafti që ekipi i Vujicic ka paraqitur në Bruksel, duke treguar edhe disa prej neneve që ka shprehur kundërshtim të thellë kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka shprehur shqetësimin e tij për Nenin II të këtij drafti që flet për territorin që do të mbulohej nga Asociacioni dhe “simbolet e shtetësisë”, përfshirë të drejtën për flamur, stemën, himnin dhe selinë administrativë që do të ishte në Mitrovicën e Veriut, transmeton Express.
Gjithashtu mospajtim të thellë Kurti raportohet të ketë pasur edhe me Nenin XVI në të cilin flitet për atë se si Asociacioni menaxhon pronat dhe asetet publike, infrastrukturën dhe burimet natyrore.
“Novosti” ka përmendur edhe faktin që drafti specifikon të drejtën e Asociacionit për të marrë para nga buxheti i Serbisë.
Kosova ka shprehur mospajtim edhe me Nenin 54 ku thuhet se asetet publike (rrugët, urat, tunelet, hekurudhat, parqet) që ndodhen brenda territorit të Asociacionit menaxhohen nga vetë Asociacioni./