Problemet mes çifteve shpesh herë nuk marrin fund me ndarje. Personat e pakënaqur me vendimin për t’i ndarë rrugët, në shumë raste u shkaktojnë telashe partnerëve të tyre, duke i kërcënuar e shantazhuar në forma të ndryshme. E, në raste të më të rënda, ata eskalojnë edhe në dhunë fizike ndaj tyre duke u shkaktuar viktimave lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në orët e para të 2 janarit, është arrestuar një person.

Sinjali mëson eskskluzivisht se i dyshuari është Plator Vishaj, 28-vjeçar.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja? Sinjali sjellë detaje ekskluzive

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë filluar në klubin e natës ‘Venom’ në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku Vishaj ka sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij 24-vjeçare, K.I..

Burimet brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmia e viktimës, e cila ka deklaruar se që aty Vishaj e ka marrë me një taksi dhe gjatë gjithë kohës ka ushtruar dhunë brutale ndaj saj, duke i shkaktuar lëndime kryesisht në pjesën e kokës.

Të dhunuar fizikisht në mënyrë brutale, Vishaj dyshohet se e braktisi ish të dashurën e tij në mes të rrugës në rrugën ‘B’ në Prishtinë, prej ku më pas viktima është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor.

Me të marrë informacionin, Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshminë e vajzës dhe më pas kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin.

Tretman mjekësor ka pranuar edhe vetë Vishaj, i cili sipas informacioneve që posedon Sinjali, ka pësuar lëndime në grushte duke e goditur mizorisht 24-vjeçaren.

I njëjti më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia.

Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.