Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaE djathta serbe paralajmëron tubim në Kosovë

E djathta serbe paralajmëron tubim në Kosovë

Organizata ndërkombëtare Aleanca për Paqe dhe Liri (The Alliance for Peace and Freedom – APF), e cila mbledh të djathtët ekstremë, po planifikon një tubim në veri të Kosovës.

 

Siç ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, udhëheqësi i lëvizjes me orientim të djathtë “E djathta serbe nga Serbia”, Misha Vaciq, qëllimi i tubimit do të jetë ofrimi i mbështetjes ndërkombëtare për serbët në Kosovë.

“Që ta shohin (serbët) se nuk janë vetëm vëllezërit tanë tradicional – të tipit rusët dhe grekët – por, që ekzistojnë në të gjithë popujt e Evropës njerëz që kanë qëndrim politike se Kosova është Serbi”, tha Vaciq në një deklaratë përmes telefonit.

Aleanca për Paqe dhe Liri (APF) bashkon partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Anëtarë të Aleancës, ndër të tjerë, janë edhe Partia Forza Nuova nga Italia, Fronti Kombëtar Francez, ndërkaq që bashkëpunon edhe me organizatën greke të ndaluar neo-naziste, Agimi i Artë.

Aleanca, më 26 shtator mbajti konferencën “Kombet e Evropës”, në Hotel Moska në Beograd , në të cilën, sipas një raporti nga faqja e internetit e kësaj organizate, u dëgjuan mesazhe që mohonin pandeminë, por edhe pavarësinë e Kosovës.

Nikoqir i tubimit ishte Misha Vaciq, i cili më parë ka qenë udhëheqës i lëvizjes së krahut të djathtë Nashi 1389 (Tanët 1389), ndërkaq që në vitin 2017 ai e themeloi lëvizjen E djathta Serbe.

Kjo lëvizje, siç thuhet në faqen e saj të internetit, promovon tradicionalizmin, atdhedashurinë, shoqërinë e shëndoshë dhe integrimet euro-aziatike.

Në faqen e internetit të kësaj lëvizjeje gjithashtu përmendet angazhimi për të hyrë në një aleancë ushtarake me forcat e Lindjes, si dhe mohon pavarësinë e Kosovës.

Në tubimin e 26 shtatorit, i cili nuk tërhoqi shumë vëmendjen e mediave, u përmend edhe mundësia që tubimi tjetër të mbahej në veri të Kosovës, ku në shumicë jeton popullata me kombësi serbe.

Vaciq konfirmoi se planifikon që në mes të nëntorit të organizojë në Kosovë një tubim të partive politike të krahut të djathtë, të mbledhura rreth Aleancës për Paqe dhe Liri.

“Ende nuk janë të njohura detajet se ku saktësisht do të mbahet mbledhja, sidomos për shkak të situatës së sigurisë. Nuk është e sigurt nëse ky do të jetë një samit i formatit që u mbajt në Beograd. Plani im është që t’i sjell të gjithë ata politikanë evropianë dhe t’i vizitojnë serbët në barrikada. Por, pasi që barrikada nuk ka, plani është ende duke u pritur”, ka thënë Vaciq.

Siç tha ai, formati i tubimit do të vendoset në përputhje me situatën në terren.“

Çështja është t’i japim popullit serb (në Kosovë) mbështetjen e patriotëve ndërkombëtarë”, u shpreh Vaciq.

Ai nuk pret që për shkak të autoriteteve të Kosovës të ketë ndonjë problem me rastin e organizimit të tubimit të tillë.

I pyetur nëse mendon se do të ketë probleme me autoritetet e Kosovës kur ai të hyjë në vend, Vaciq konsideron që vetëm ai personalisht mund të ketë probleme.

“Mund të jetë problem vetëm për mua, sepse kam pasur një ndalim të hyrjes që kur kam qenë këshilltar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Por, unë nuk e respektoj atë ndalim, sepse nuk i pranoj vendimet e institucioneve të përkohshme, që për mua janë institucione terroriste dhe jo organe e autoritete”, tha Vaciq.

Ai thekson që nuk pret që të ketë probleme kushdo nga delegatët e huaj gjatë hyrjes në Kosovë.

“Kohë më parë ka qenë në vizitë një ekip i Forza Nuove-s, pasi që Italia është vend që e njeh Kosovën. Mund të ketë probleme me delegatët rusë dhe delegatët nga vendet që nuk e kanë njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës”, theksoi Vaciq.

Ai shtoi se anëtarët e Forza Nuove-s kanë shkuar në Kosovë që të dorëzojnë ndihmat “me ushqime dhe para, për serbët më të rrezikuar”, por ai nuk deshi që të japë detaje të tjera lidhur me këtë vizitë.

“I kemi dërguar në veri dhe kanë hyrë pa asnjë problem. Njerëzit tanë është dashur të kenë testet PCR-së (për koronavirus), në mënyrë që të mund të hynin”, tha Vaciq.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments