Tenderi për tekstet shkollore nga klasa 1-5 ishte anuluar në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. MASHT me akuza drejtuar shtëpive botuese dhe me arsyetimin se po e kursen buxhetin e shtetit, kishte marrë vendim për t’ua ndarë prindërve në llogari bankare paratë për blerjen e librave.
Tenderi ishte anuluar me arsyetimin se kishte kapërcyer për 500 mijë euro vlerën e parashikuar.
“Anulimi i procedurës së prokurimit është bërë pasi që ofertuesit – Shtëpitë Botuese kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për ketë procedure të prokurimit. Edhe përkundër negociatave qe janë zhvilluar me Shtëpitë Botuese, çmimet janë më të larta se shuma e parashikuar për këtë procedurë të prokurimit. Vlera e parashikuar ka qenë: 4,316,885.00 € Vlera pas negociatave është: 4,830,069.62 €”, thuhet në vendimin për anulimin e tenderit për furnizim me tekste shkollore nga klasa 1-5.
Sot ndërkohë Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje virtuale, ku ka ndarë 6 milionë e 323 mijë e 380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore nga klasa 1-5.
Kjo shumë e ndarë nga Qeveria, kalon për 2 milionë euro vlerën e parashikuar të tenderit të anuluar dhe është më e lartë për 1 milionë e gjysmë se sa vlera e tenderit që kishte arritur pas negociatave me shtëpitë botuese.
Ministrja Nagavci sot në një njoftim në profilin e saj në “facebook” ka njoftuar se përmes platformës e-Kosova kanë aplikuar gjithsejtë 92 mijë prindër dhe se janë në proces të aspekteve teknike për transferimin e parave në xhirollogaritë e prindërve.
Ministrja ditë më parë kishte njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, dhe për nxënësit nga klasa e 6 deri në klasën e 9-të do të ndahen nga 30 euro si mbështetje për materiale e tjera shkollore.
Qeveria e Kosovës sot përveç mjeteve për subvencionimin e teksteve shkollore 1-5, ka ndarë edhe 6 milionë e 617 mijë e 340 euro për subvencionimin e materialeve shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë./Express/