Covid-19 ka dominuar jetët, ekonominë dhe diskurset ndërkombëtare për të dytin vit radhazi. Në fund të atij që pagëzua nga shumë si “vit për të mos u kthyer”, ku kryefjalë ishin sëmundja, izolimi dhe distancimi social, 2021 nisi me shpresë, por edhe pasiguri.
Bota kishte tani një armë të re për mundjen e pandemisë, vaksinën! Por ajo që u pagëzua si fushata më masive e vaksinimit në histori, rezultoi më e vështirë nga çfarë ishte parashikuar, e sfiduar nga mungesa e dozave, pabarazia në shpërndarjen e tyre, skepticizmi i popullsisë dhe variantet e reja.
Pas entuziazmit fillestar të atyre që panë fundin e vuajtjes në horizont, filloi të bëhej gjithmonë e më e qartë, se rikthimi në normalitet ishte ende një realitet i largët.
Lajmi që solli një kthesë të papritur në trajektoren e pandemisë, erdhi nga Britania e Madhe. Pikërisht në vendin që po printe botën në fushatën për imunizimin e popullsisë, duke u kthyer në një laborator njerëzor, ku ishin fokusuar sytë e të gjithëve, nisi të përhapej me shpejtësi një varianti ri i koronavirusit, që mund t’i shmangej mbrojtjes së fituar me aq mund nga infektimet e mëparshme, apo vaksinat.
U pagëzua si varianti britanik, apo Alfa, përhapej më shpejt se ai origjinal dhe kishte shqetësime se mund të shkaktonte sëmundje më të rëndë. Pasi u premtoi qytetarëve se me dy dozat e vaksinës do të rifitonin liritë e humbura, kryeministri Boris Johnson njoftoi më 4 janar se vendi do të kthehej në izolim. “Është e qartë se duhet të bëjmë më shumë për të vënë nën kontroll variantin e ri, ndërsa vaksinojmë sa më shumë njerëz. Anglia duhet të rikthehet në izolim kombëtar”, tha ai.
Edhe pse i mbyllën dyert britanikëve, Europa dhe Bota nuk e mbajti dot në prag variantin e ri, që shumë shpejt u bë dominues, duke zëvendësuar atë paraardhës të zbuluar në Wuhan. Por armiku nuk ishte më vetëm një; tashmë me aftësinë për te ndryshuar formë e përmbajtje, prezantohej me karakteristika të reja në zonat me nivel të lartë infektimi anekënd globit. Teksa Europa luftonte variantin Alfa, në Afrikën e Jugut, Indi e Brazil qarkullonin variante të tjera që po mbushnin spitalet e morgjet.
Ndërsa dimri po bëhej gjithmonë e më i vështirë, me rekorde infektime dhe vdekjesh, me izolime, maska dhe distancime sociale, shtetet nisën një garë të egër për sigurimin e të vetmit mjet që kishin në dispozicion për të shpëtuar nga makthi, vaksinat… Vaksinat e para të miratuara nga entet rregullatore, ato të Pfizer dhe Biontech, AstraZeneca dhe Moderna, shkuan fillimisht për punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore.
Por në Bashkimin Europian, fushata e imunizimit nisi e ngadaltë, e bllokuar nga ndërprerjet e furnizimeve.
“Duam të sigurojmë qytetarët tanë se do të marrin pjesën që u takon. Kompanive prodhuese u themi se duhet të respektojnë kontratën që kanë me BE-në para se të eksportojnë vaksina në pjesë të tjera të botës”, do të thoshte presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Bashkimi Europian kishte nënshkruar në gusht të vitit 2020, një kontratë për sigurimin e 300 milionë dozave të vaksinës së AstraZeneca. Por vetëm 30 milionë doza mbërritën për vendet e unionit në tre muajt e parë të vitit 2021, nga 90 milionë që ishin premtuar.
Për tremujorin e dytë, kompania britaniko-suedeze tha se do të siguronte vetëm 70 milionë nga 180 milionë që parashikoheshin në kontratë.
Mungesa e furnizimeve në BE, nuk ishte një problem nga i cili vuante Britania e Madhe, e cila justifikohej se kishte sigluar më shpejt kontratat me kompanitë farmaceutike. Nuk do të vononte shumë para se BE-ja të depozitonte një padi ligjore ndaj AstraZeneca-s, e të kërkonte aktivizimin mekanizmit që pengonte eksportin e vaksinave të prodhuara në vendet e bllokut.
Por përfshirja në debatin e nxehtë me Brukselin, për furnizimet nuk ishte i vetmi problem i kompanisë ku Europa kishte varur shpresat kryesore për t’i shpëtuar krizës.
Në mesin e muajit mars, pjesëtarët më të mëdhenj të unionit, Gjermania, Franca Dhe Italia, iu bashkuan dhjetëra shteteve që kishin pezulluar vaksinën AstraZeneca, pas raportimeve se vaksina mund të shkaktonte mpiksje të rralla gjaku. U desh ndërhyrja e Agjencisë Europiane të Barnave, EMA, për të zbutur frikën e europianëve që u bënë edhe më skeptikë ndaj vaksinave. Hetimet nuk nxorën në dritë prova për probleme në prodhim.
Megjithatë, enti rregullator nuk e përjashtoi plotësisht lidhjen mes incidenteve të mpiksjes së gjakut dhe vaksinës në hetimin e tij. Madje, më vonë e pranoi se çrregullimi i frikshëm i gjakut ishte një efekt i rrallë anësor i vaksinës, edhe pse duke theksuar qartë se përfitimet i tejkalonin rreziqet.
Një sërë liderësh dhe ministrash të Shëndetësisë, përveshën mëngët, për të inkurajuar besimin te produkti gjithmonë e më i refuzuar. Shumë shtete e kufizuan përdorimin e vaksinës, te grupmoshat e madha, pasi të dhënat sugjeronin, se të rinjtë, e veçanërisht gratë, ishin më të rrezikuara nga efekti i rrallë anësor. Me fushatën e çalë të vaksinimit, pabarazisë së shpërndarjes së dozave në dispozicion, dhe paaftësisë së mekanizmit të OBSH-së, Covax për t’i çuar vaksinat te vendet e varfra, virusi kishte sërish avantazhin.
Varianti Delta, i identifikuar për herë të parë në fund të vitit 2020, përfshiu Indinë në një valë të dytë vdekjeprurëse. Imazhe rrëqethëse filluan të vinin nga shteti më i populluar në botë, me spitalet e mbushura plot, njerëz që trajtoheshin në rrugë dhe lutjet e dëshpëruara për oksigjenin që mungonte. Varianti Delta, ishte më i transmetueshëm se ai origjinal dhe u përhap me shpejtësi rreth botës.
Ndërsa varianti Delta, kishte nisur vrapin rreth globit, bota vijonte vrapin për të armatosur popullsinë me vaksina. Vaksinat e prodhuara nga kompanitë Pfizer/Biontech, Moderna dhe AstraZeneca, treguan efektshmëri të lartë në mbrojtjen nga varianti i ri më ngjitës, të paktën nga sëmundja e rëndë. Studimet e shumta, orientonin drejt një rruge të vetme për t’i shpëtuar makthit të pandemisë, dhe ajo ishte përmes vaksinimit me të dyja dozat.
Por fushata e imunizimit nuk ishte e njëtrajtshme, dhe secili vend kishte realitetin e tij pandemik. Të pasurit thyenin rekorde vaksinimesh ditore, dhe raportonin shifra të qëndrueshme infektimesh; të varfrit nuk kishin marrë ende dozat e para, dhe përballeshin të pambrojtur me virusin e pamëshirshëm. Por mes të gjithë kësaj pabarazie, ajo që i barazonte të gjithë ishte konstatimi shkencor se pandemia nuk do të merrte fund, deri sa çdokush të vaksinohej.
Mes sinjaleve se virusi nuk do të ikte në të ardhmen e afërt, skepticizmit në rritje ndaj vaksinave, dhe frikës për të paralizuar edhe një herë jetën socialo-ekonomike, bota filloi të gjente mënyra për të bashkëjetuar me virusin. Kufizime të pjesshme ishin implementuar rreth Europës, por ndryshe nga pranvera e kaluar teatrot, kinematë dhe restorantet do të qëndronin përgjithësisht të hapura.
Megjithatë, qasja në to nuk do të ishte për të gjithë, dhe aq me tepër pa kushte! Izraeli ishte i pari që eksperimentoi të ashtuquajturën certifikatë të gjelbër, e cila mundësonte lëvizjen e lirshme të personave të vaksinuar, që ishin shëruar së fundmi nga Covid-19 apo kishin test negativ.
Nuk do të vononte para se certifikata, apo “Green Pass”, të mendohej si zgjidhje për të garantuar lirinë e lëvizjes, për t’u dhënë të drejtat e premtuara të vaksinuarve dhe për të nxitur skeptikët të imunizoheshin sa më parë. Pas debateve të nxehta disamujore, kundërshtive dhe këmbënguljes së shteteve të varura nga turizmi, Bashkimi Europian i dha më 1 qershor dritën jeshile certifikatës së gjelbër, e cila dëshmonte vaksinimin, shërimin apo rezultatin negative të testit.
Pasaporta ishte një garanci për të ruajtur liritë, por shumë e panë si simbolin e humbjes së tyre. Nga Parisi në Romë, nga Brukseli në Barcelonë, qytetarë të zemëruar mbushën sheshet kryesore për t’i dhënë jo certifikatës shëndetësore dhe vaksinimit të detyrueshëm.
Lëvizja anti-vax u ushqye nga mosbesimi i theksuar në qeveri dhe teoritë konspirative të përhapura në rrjetet sociale, kryesisht nga organizata të ekstremit të djathtë.
Me ardhjen e verës, rindezjen e shpejtë të motorëve të turizmit, fushata e vaksinimit kishte përshpejtuar ndjeshëm ritmin, atmosfera në Europë ishte pozitive. Falë edhe sigurisë së ofruar nga certifikata, pjesa më e madhe e kontinentit hoqi gradualisht kufizimet me Britaninë e Madhe që festoi në korrik ditën e Lirisë.
Në fund të gushtit, Bashkimi Europian arriti një gurthemel të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë; 70% e popullsisë së rritur ishte vaksinuar plotësisht. Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ftoi qytetarët të mos e ulin vigjilencën.
Entuziazmi në Europë nuk zgjati shumë. Ende pa përfunduar vera, infektimet kishin filluar të rriteshin ndjeshëm, me të dhënat që tregonin qartë se vetëm vaksinat nuk mjaftonin për të frenuar pandeminë.
Nga shtetet me nivel të lartë të mbulimit me vaksina, si Izraeli, SHBA-ja apo Britania e Madhe raportoheshin gjithnjë e më shumë “breakthrough cases”, siç u quajtën rastet e infektimeve te personat te vaksinuar me të dyja dozat.
Pyetja se sa do të zgjaste imuniteti i ofruar nga vaksinat, po merrte më në fund një përgjigje. Shkenca konfirmoi se antitrupat binin me kalimin e kohës, duke pësuar tkurrje të konsiderueshme, 5 muaj pas dozës së dytë.
Kompanitë farmaceutike dhe ekspertë të shëndetësisë, arritën në përfundimin se do të duhej një dozë e tretë përforcuese për të rikthyer mbrojtjen në nivelet fillestare.
Doza e tretë dhe vaksinimi i fëmijëve, që po infektoheshin gjithnjë e më shumë me variantin Delta, u vunë shpejt në qendër të fushatës globale në fillim të vjeshtës, kur virusi kishte marr sërish hov dhe e ktheu Europën në epiqendrën e tij të re.
Pandemia është më e egër në vendet me nivel të ulët vaksinimi, në vendet e Europës lindore që risollën në kujtesë tmerrin indian. Por edhe vende si Gjermania dhe Austria u ripozicionuan në frontin e parë të betejës. Vaksinat kishin thyer raportin mes të infektuarve dhe shtrimeve në spital, por nuk e kishin ndalur dot vrullin e koronavirusit, i cili sikundër ndodhi në 2020, bëhej më luftarak, gjatë muajve të dimrit, shkruan a2news.
Ajo që ekspertët e quajtën “pandemi të të pavaksinuarve”, nxiti edhe demokracitë më të mëdha të shkonin më tej në heqjen e lirive në emër të kauzës së përbashkët.
Certifikata shëndetësore dhe vaksinimi nisën të bëhen të detyrueshme, ndërsa punonjësit në sektorët kyç që refuzuan të merrnin vaksinën u pezulluan nga puna. Zemërimi publik shpërtheu edhe një herë në rrugët e kryeqyteteve botërore, këtë herë edhe më i dhunshëm.
Kur po shpresohej që vala Delta mund të ishte duke e humbur fuqinë, nga Afrika e Jugut erdhi njoftimi që do të shkundte edhe një herë botën, ndërsa bëhej gati të përcillte një tjetër vit të vështirë.
Autoritetet atje, sinjalizuan qarkullimin e një varianti potencialisht më të transmetueshëm, i pagëzuar më vonë me emrin Omicron.
Të dhënat sugjeronin transmetueshmëri më të lartë, falë edhe mutacioneve të shumta, dhe mundësi për t’i shpëtuar mbrojtjes së vaksinës. Kaq mjaftoi për të kthyer edhe një herë në pikën zero të pandemisë, me një sërë shtetesh që nxituan të blindonin kufijtë për shtetet afrikane ku ishte evidentuar virusi.
Shkenca kërkoi 2-3 javë kohë për të studiuar më mirë variantin që kishte aktivizuar kambanat e alarmit. Por Omicron-it iu desh më pak për t’i treguar botës pikën e tij të fortë; aftësinë për t’u përhapur me ritme të paprecedenta. Shtetet e Bashkuara dhe Europa u përfshinë nga një cunam rastesh, ndërsa të dhënat sugjeronin se vaksinat po e humbisnin efektshmërinë.
Në mesin e zhvillimeve të zymta, të dhënat se Omicron është më pak agresiv se të tjerët, erdhën si ilaç në zemrat e qytetarëve të sprovuar rëndë nga kriza shëndetësore. Studimet sugjerojnë se personat e infektuar me të kanë 30 deri në 70 për qind më pak mundësi të shtrohen në spital. E megjithatë, ritmi i paprecedentë i transmetimit, bën që frika e tejmbushjes së spitaleve të jetë e madhe.
Ai që ishte shpresuar të ishte viti i ngadhënjimit ndaj errësirës dhe rikthimit në normalitet, rezultoi një tjetër kalvar i mundimshëm në kalendarin e pandemisë. Një vit betejash me variantet, nga Alfa tek Omicron, një vit lirisht të kufizuar të drejtash të humbura, e të fituara me mund e sakrifica shpesh të pashpërblyera.
Por ishte gjithashtu një vit që solli shpresë; në formë e vaksinave ilaçeve apo historive të suksesit. Ishte viti i ripërtëritjes së forcës njerëzore dhe aftësisë së jashtëzakonshme të shkencës.
Shifrat e pandemisë kanë qenë të pamëshirshme, me rreth 290 milionë raste dhe mbi 5,4 milionë vdekje të shënuar deri më tani.
Por me gati 10 miliardë doza të vaksinave të administruara, në të gjithë botën, dhe disa ilaçe të efektshme antivirale në dispozicion, hyjmë në pragun e këtij viti të ri, me një avantazh të theksuar në luftën ndaj pandemisë.