Për më pak se tre muaj bëhen plot dy vjet qëkur zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me eufori, ky akt qe cilësuar prej saj, si hapje e një kapitulli të ri për shtetin më të ri në Evropë. “Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, pati thënë ajo nëpërmjet një video-adresimi.
Rëndësinë e anëtarësimit të vendit në këtë mekanizëm evropian deri më sot nuk e ka kontestuar askush në Kosovë, por shpresat për t’u bërë pjesë e këtij këshilli sikur janë zbehur për shkak të disa obligimeve të papërmbushura dhe zhvillimeve në vend.
Dy njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, meqë sipas tyre, komunikimi i përfaqësuesve institucional të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë nuk është në nivelin e duhur, veçmas në aspektin e përmbushjes së obligimeve për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronat e Manastirit të Deçanit.
Marrë parasysh rrethanat e tanishme, njëri nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare mendon që është paradoksale edhe të mendohet që këtë kohë Kosova mund të pranohet në një organizatë siç është Këshilli i Evropës.
Sidoqoftë, në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë dhe pranimi në të bëhet me votat e 2/3 të shumicës.
Zyrtarisht procesi i vlerësimit të aplikacionit të Kosovës nga ana e Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës nisi në po të njëjtin muaj të vitit 2023.
Dy trupat kryesorë të Këshillit të Evropës janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Kosova nuk mund të zgjidh çështje të mëdha pa komunikim të mirë
Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agder në Norvegji vlerëson se Kosova nuk qëndron mirë në komunikim me ndërkombëtarët.
“Për momentin Kosova është në pozitë të disfavorshme në komunikim dhe lobim me partnerët ndërkombëtarë për t’i siguruar votat dhe përkrahjen e duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës”- tha Hoxha për Kallxo.com.
Por, me pak kreativitet në komunikim me bashkësinë ndërkombëtare, ai beson se Kosova mund të korrë dy fitore diplomatike që i hapin rrugë këtij anëtarësimi.
Kosova ka angazhuar një Grup Koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i cili e ka për mision nxitjen e kooperimit të brendshëm përgatitjen për një paraqitje të qartë dhe të koordinuar të progresit të Kosovës në fushat kritike, si respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe thellimi i demokracisë.
Më 22.01.2024, zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti i takoi shefat e Sekretariateve të tri Komiteteve relevante për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministria e Punëve të Jashtme pati njoftuar se gjatë takimeve ishte biseduar në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE, respektivisht për hartimin e opinionit nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci dhe për dhënien e mendimit nga dy komitetet e tjera.
Sidoqoftë, profesori universitar për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Afrim Hoti as nuk e bënë fjalë që në këtë momentum Kosova do të mund të anëtarësohet në çfarëdo organizate ndërkombëtare.
Marrëdhëniet me aleatët kryesorë, siç thotë ai, janë më të dobëta se asnjëherë më parë.
“As nuk flasim në këtë momentum për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sepse do të ishte paradoksale që ne të organizohemi qoftë në Këshill të Evropës, qoftë në organizata të tjera ndërkombëtare, për sa kohë që jemi pa partneritet me SHBA-të dhe nën masa të Bashkimit Evropian”- tha Hoti për Kallxo.com.
Mbi të gjitha, sipas tij, atmosfera politike në Kosovë që është si kusht për integrim në Bashkimin Evropian apo në Këshill të Evropës nuk është e mirë.
Politikanët në Kosovë, siç thotë Hoti, e kanë më të vështirë të komunikojnë mes vete për të zgjidhur problemet, sesa me të tjerët. “Kjo është për keqardhje”, shprehet ai, duke mos e përjashtuar mundësinë që masat që BE i ka ndërmarrë ndaj Kosovës të vazhdojnë edhe më tutje, “bile edhe më fuqishëm”.
“Fatkeqësisht siç kanë qenë të bllokuara deri më tani do vazhdojnë të mbesin bile edhe më fuqishëm”- shtoi ai.
Bashkimi Evropian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Ndonëse zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk i kishte quajtur sanksione, ai kishte konfirmuar më 14.06.2023 se shtetet anëtare të BE-së janë dakorduar që të vendosin “masa kufizuese” me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës.
Dy çështje që me dekada nuk po zgjidhen
Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe konteksti i pronave të Manastirit të Deçanit mbesin dy nga pikat më të nxehta, aq sa edhe determinuese për fatin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.
“Në njërën anë kërkohet zbatimi i një vendimi të institucioneve të Kosovës për manastirin e Deçanit si dhe të themelohet Asociacioni si mekanizëm për të rritur qeverisjen në veri, dhe në anën tjetër, t’u tregohet partnerëve ndërkombëtarë se Kosova megjithatë është vend i sundimit të ligjit”- tha Abit Hoxha për Kallxo.com.
Hoxha thotë se pronat e Manastirit të Deçanit dhe Asociacioni janë pjesë e negociatës për anëtarësim. Edhe pse formalisht nuk janë kushte, sipas tij, ato janë sfida të cilat Kosova mund t’i kthente në favor të sajin sikur t’i implementonte.
“Kam dyshim se këto çështje që i përmendëm më lartë janë të vendosura në agjendën e BE-së dhe shteteve përkrahëse të Kosovës, sa që nuk mund të tejkalohen”- thekson Hoxha.
Pothuajse njësoj, Hoxha beson që është situata me njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të cilat sipas tij nuk ka arsye të mbahen në veri në pritje të eskalimit të gjendjes. Në vend të kësaj, ai thotë se patrullat e zakonshme të policisë do të mund ta kryenin punën që u takon.
Në vitin 2023, ekspertët e pavarur të Këshillit të Evropës konfirmuan se legjislacioni i Kosovës përputhet me standardet e Këshillit të Evropës për sundimin e ligjit.
Sidoqoftë, ata gjithashtu kërkuan nga Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos dërgojë njësi speciale të policisë për detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.
Në raportin vlerësues, ekspertët, të cilët janë angazhuar nga Asambleja e Këshillit të Evropës për të vlerësuar se a ka përputhje kuadri ligjor i Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës, kërkojnë nga autoritetet të zbatojnë “pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastrit të Deçanit”.
Për këtë kërkesë, ekspertët ju kanë referuar vendimit të vitit 2016 të kësaj gjykate që i njeh manastirit ortodoks serb pronësinë e një sipërfaqe prej 24 hektarësh tokë përreth tij, por që kundërshtohet nga banorët e asaj ane.
Raporti i ekspertëve, është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim.
Që tetë vite nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht nga 19.05.2016 qeveritë të Kosovës nuk e kanë zbatuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke u shndërruar në një kritikë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Në vitin 2023, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Në vitin 2022, kryeministri Albin Kurti kishte thënë që prijësit e Manastirit të Deçanit i kanë pritur në Manastir të gjithë kryeministrat para tij, dhe se vetëm atë nuk e kanë pranuar.
Kurti pati deklaruar se ka kërkuar nga priftërinjtë që të nisin një dialog, por se, ata nuk e kishin pranuar këtë gjë.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pushtetet janë ndarë, pse kaq shumë kërkesë që të ndërlidhet. Vazhdimisht na është kërkuar që të mos përzihemi në shtyllat tjera, mirëpo në këtë rast na kërkohet që të jemi aty pranë”- kishte thënë Kurti në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, çështja e Asociacionit ka mbetur e hapur tash e mbi një dekadë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2013, ndërsa në gusht të vitit 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni – marrëveshje kjo që nuk u zbatua asnjëherë për shkak se Gjykata Kushtetuese kishte gjetur shkelje në 23 pika të saj.
Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.
Lobimi i Serbisë që la vragë
Prej kur Kosova ka shpallur Pavarësinë më 17.02.2008, Serbia ka bërë fushata lobimi kundër njohjeve ndërkombëtare dhe kundër pranimit të Kosovës në organizata dhe mekanizma të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte reaguar kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me arsyetimin që Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë të Brukselit.
Me këtë marrëveshje të nënshkruar në Uashington më 04.09.2020 Kosova ishte pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, ishte pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe në një psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë, në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze” – kishte thënë Vuçiq.
Qeveria e Gjermanisë më 04.05.2022 kishte konfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti gjerman, Knut Abraham, kishte bërë të ditur se Qeveria Federale e Gjermanisë mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.
U themelua më 1949 dhe mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe të drejtat e minoriteteve në vendet anëtare.
Organizata ndihmon vende të ndryshme në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit dhe në zbatimin e reformave të nevojshme gjyqësore.