Një person është arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti është kapur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I riu që po udhëtonte me autobus, u zbulua që po tentonte të fus brenda territorit të Kosovës rreth 700 gram marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet bëjnë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se i dyshuari ëhstë Gëzim Islami, 22-vjeçar.
Sipas të njëjtave burime Islami u kap gjatë kontrollit në autobusin me të cilin po udhëtonte si pasagjer nga Shqipëria për në Kosovë.
Droga që u gjet në çantën e të riut, u sekuestrua në cilësinë e provave materiale bashkë me telefonin e tij personal, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se Islami ka pranuar që marihuana që u gjet është e tij dhe e ka blerë në Tiranë.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Prishtinë, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, transportimi dhe posedimi i substancave narkotike’.