Pasi që nga 30 marsi i këtij viti Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka mbetur pa bord, Kuvendi i Kosovës më 11 tetor 2021 ka filluar procesin e rekrutimit për të zgjedhur kryetarin dhe anëtarët e rinj të OSHP-së.
Organi përzgjedhës i Kuvendit, i përbërë nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, nga gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Nenad Llaziq dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hajriz Hoti, të martën ka vazhduar me intervistimin e kandidatëve për procesin e rekrutimit të pesë anëtarëve të OSHP-së.
Gjatë ditës së gjashtë të procesit të përzgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, katër (4) kandidatë i janë nënshtruar procesit të intervistimit nga ana e komisionit, nga të cilët tri gra dhe një burrë.
Gjatë kësaj dite, kandidatja e parë nuk ka mundur të poentohet për shkak të pengesave të paraqitura si rrjedhojë e ndaljes së rrymës dhe humbjes së komunikimit elektronik me përfaqësuesit e projektit të ambasadës së Britanisë së Madhe. Poentimi i saj do të bëhet ditën e nesërme, duke shqyrtuar materialet dhe shënimet e mbajtura si nga komisioni ashtu edhe nga përfaqësuesit e projektit. Procesi ka vazhduar sipas planit me kandidatët tjerë.
“Betimi për Drejtësi”, për të ruajtur mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të OSHP, nuk i bënë të ditur emrat e kandidatëve, pyetjet e parashtruara nga ana e komisionit dhe pikët e dhëna për gjithsecilin kandidat. Këto të dhëna do të shpalosen për publikun në përfundim të procesit të intervistimit.
Ndryshe, procesit të intervistimit deri më tani iu kanë nënshtruar 20 kandidatë, 5 kandidatë për arsye të ndryshme janë tërhequr, ndërsa deri në fund të garës kanë mbetur edhe 4 kandidatë për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, pas intervistimit të këtyre kandidatëve, organi përzgjedhës i pavarur ia dorëzon Kuvendit listën e plotë të kandidatëve të vlerësuar. Kuvendi i emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së.
Ndryshe, sipas paragrafit 2 të nenit 100 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, 90 ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së, Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të anëtarëve të OSHP-së.
Qeveria Hoti kishte shpallur konkurs për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së më 12 janar 2021, pasi që më 31 mars 2021 kryetarit dhe anëtarëve aktual do t’u skadonte mandati.
Mirëpo, pas ndryshimit të qeverisë, në maj të vitit 2021 Qeveria Kurti ka anuluar konkursin paraprak dhe ka hapur konkurs të ri për të cilin është duke u zhvilluar procedura e rekrutimit.