Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti duket se tashmë e ka zgjedhur ambasadorin e ri në Kroaci. Bëhet fjalë për Martin Berishajn, një militant shumë aktiv të Vetëvendosjes, njëherit profesor në Universitetin e Prishtinës.
Martin Berishaj, sipas të gjitha gjasave do të udhëheq me ambasadën e Kosovës në Kroaci. Ndonëse për emërimin e tij nuk kanë folur nga MPJ, punën e re atij ia ka uruar motra e tij, Maria në një postim në Facebook.
“Emrimi yt si ambasador në Kroaci më gëzoi pamasë. Urime vëlla i dashtun dr. prof. Martin Berishaj Tu dhasht e mbara dhe dalsh faqebardhë si gjithmonë që na ke mësua me veprat tua. E mbajsh me nderë këtë post. Krenare me ty gjithmonë. Të Dua shumë”, ka shkruar motra e tij.
E mjafton një kontrollim i thjeshtë i profilit të Berishajt për të parë se ai është një militant shumë i afërt me Vetëvendosjen, kryeministrin Kurti e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Madje sipas burimeve , Berishaj ka qenë shumë aktiv gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet nacionale në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt, duke lobuar për VV-në.
Përveç kësaj, Kurti si kryeministër madje e kishte pritur në takim në qeveri Berishajn, që tani do të jetë diplomat në Kroaci.
Ambasada shumë të rëndësishme të Kosovës në shtete të jashtme kanë mbetur pa ambasadorë që një kohë të gjatë, pas shkarkimit të tyre nga kryediplomatja Donika Gërvalla.
Kjo e fundit është kritikuar me të madhe se ka lënë të boshatisura këto pozita kur dihet fushata agresive e Serbisë në politikën e Jashtme si dhe mbajtja e raporteve me shtete të caktuara me rëndësi strategjike për Kosovën.