Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim ndaj Aziz Gashit, të dyshuarit për vrasjen e 48-vjeçarit, Beqir Morina, në Prizren.
Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e 3 shtatorit, rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren, pas një zënke që thuhet se ka nisur mes viktimës dhe të pandehurit.
I pandehuri Gashi dyshohet se para gruas dhe vajzës 8-vjeçare të të ndjerit, me kallashnikov fillimisht ka shtënë 2-3 herë në drejtim të Beqir Morinës. Pas kësaj, thuhet se ai i është afruar dhe ka shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së tij, i cili nga plagët e marra në kokë ka vdekur.
Në seancën e sotme, prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi ka argumentuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për të kërkuar paraburgim për të dyshuarin.
Në anën tjetër, Drenusha Berisha, mbrojtëse e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar paraburgimin.
Avokatja ka kërkuar që fillimisht të dyshuarit t’i bëhet ekspertiza psikiatrike e pastaj i njëjti të mund të deklarohet.
E për rastin u deklarua edhe vetë i dyshuari Aziz Gashi. Ai u shpreh se ndien keqardhje duke arsyetuar se nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Më vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se mvjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull m’u kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt” -ka deklaruar i dyshuari Gashi.
Në lidhje me kërkesën për paraburgim, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha do të marrë vendim.
Aziz Gashi u arrestua nga Policia pas më shumë se 24 orëve në arrati.
Ai po dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së siguruar nga KALLXO.com i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave.
Pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H. M., (bashkëshortja e viktimës), A. M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh.
Tutje në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës Beqir Morina, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Në kërkesën e Prokurorisë sqarohet se të dëmtuarat H.M., dhe A. M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R. M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes.
Ndërkaq, i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H. Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”- i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë Hirei metalike, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Me këtë rast të dëmtuarve H.M., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., u ka rrezikuar jetën.
Sipas kërkesës për paraburgim, një pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-201-2722, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta Beqir Morinën dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H. M., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., është gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë të Malishevës.