Gjatë ditës së djeshme disa media kanë cituar postime me pretendime të rrejshme të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë për gjoja veprime të një anshme të Doganës së Kosovës me konfiskim të pijeve alkoholike, të prodhuara në mënyrë jo-legjitime.
Dogana e Kosovës njofton opinionin se ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyçan ku shiten pije alkoholike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit). Zyrtarët kanë gjetur se përveç dyçanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoholike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave.
Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës pêr mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave.
Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkoholi në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësishtë në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrollave sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.
Në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme.
Dogana e Kosovës ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokal. Tërheqja e mallit të ndalur përkohësishtë kërkon kohë derisa të vendosen mallrat në mjete të përshtatshme transporti.
Dogana e Kosovës është institucion profesional i zbatimit të ligjit dhe trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të pa autorizuara prodhimi Dogana ka hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë dhe madje ka bërë publike edhe rastin e rreth 15 mijë litra alkohol në Tetor të viti të kaluar. (Postimi gjendet në faaen e Doganës së Kosovës ne facebook).
Dogana e Kosovës do të mirëmbajë përgjegjësitë e veta në mbrojtjen e shoqërisë dhe kërkojmë që ketij qëllimi t’i shërbejnë të gjithë dhe që veprimet e sundimit të ligjit mos të cenohen, pasi në këtë mënyrë përveç mundësimit të veprimeve që shkaktojnë dëme buxhetit dhe konkurencës fer, rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorve nga veprimtari prodhuese të pa mbikqyrura.
Dje, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter ka hedhur disa pretendime qesharake se rreth 40 mijë litra verë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në fshatin Hoçë e Madhe, komuna e Rahovecit.
“Sulmi i ri i (Albin) Kurtit ndaj serbëve në jug të Ibrit. Ai dërgoi policinë e tij në qendër të Hoçës së Madhe për të konfiskuar 40.000 litra verë nga një nga vreshtat më të vjetra të Petroviqit”.
Në stilin e tij të zakonshëm propagandistik, ai theksoi se pas “sulmit”, bashkëfshatarët i dolën në ndihmë “vertarit” sepse “nuk do të lejojnë mbijetesën dhe terrorin e Kurtit”.
Ndryshe, duke pasur klimën e përshtatshme, në territorin e komunës së Rahovecit më së miri kultivohet hardhia e rrushit.
Vreshtat e komunës së Rahovecit si dhe prodhimet e rrushit janë të njohur jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.