Udhëheqësi i serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se Republika Srpska do të tërhiqet nga forcat e armatosura të përbashkëta, nga organi më i lartë i sistemit juridik të përbashkët dhe nga administrata tatimore e Bosnjës. Anëtari kroat i presidencës trepalëshe boshnjake e quajti këtë “akt kriminal të rebelimit”.
Dodiku tha të premten se “marrëveshja që kemi dhënë për ligjin e mbrojtjes, Këshillin e Lartë Juridik dhe Prokurorial dhe Autoritetin e Taksave Indirekte do të tërhiqet”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Dodiku paralajmëroi se vendimi për këtë mund të merret në ditët e ardhshme dhe se ushtria e Republika Srpska-s mund të formohet brenda disa muajve.
Anëtari kroat i presidencës trepalëshe boshnjake, Zeljko Komsiq, e sulmoi deklaratën e Dodikut, duke e cilësuar “akt kriminal të rebelimit”.
Dodiku në të kaluarën ka bërë thirrje për ndarjen e territoreve të kontrolluara prej serbëve nga pjesa tjetër e Bosnjës, shtet që e ka cilësuar “eksperiment të komunitetit ndërkombëtar” dhe “shtet të pamundshëm, të imponuar”.
Ai të premten tha se disa grupe të ekspertëve janë duke punuar në draftimin e kushtetutës së re e ligjeve për drejtësinë, mbrojtjen dhe financat në Republika Srpska.
Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksione politikanit serb për pengimin e përpjekjeve për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i kishte dhënë fund luftës së përgjakshme më 1995.