Tuesday, November 26, 2024
HomeLajme“Djegia e mustaqeve të Adem Jasharit dhe gishtit të Isa Boletinit”, si...

“Djegia e mustaqeve të Adem Jasharit dhe gishtit të Isa Boletinit”, si i koleksionoi mjeku ligjor Arsim Gërxhaliu ato

Arsim Gërxhaliu ka nxjerr me duart e tij mijëra kocka njerëzish nga varrezat masive dhe ka qenë dëshmitarë i gjendjes në të cilën janë gjetur shumë trupa të pajetë të personave që u vranë në luftën e fundit në Kosovë.

Gjatë intervistave televizive ai ka treguar edhe për momentin kur e bëri autopsinë e trupit të komandantit legjendar Adem Jashari.

Në mars të vitit të kaluar, në emisionin “Frontal”, në T7, Gërxhaliu pati rrëfyer se kishte marrë dicka nga trupi i Adem Jasharit për ta mbajtur si kujtim.

“Ne mjekësia ligjore e dimë se pjesët e buta zhduken të parat. Flokët, mjekra, qimet në përgjithësi jetojnë më shumë se pjesët e buta por më pak se pjesët kockore”, kishte thënë ai.

“Unë u ndala. Murati si Murat të lexon në sy, nuk pat nevojë as me fol. Dhe më tha doktor ky është i yti, e ti merr çka dush. E mora krahun e djathtë të mustaqeve, pak zylyf dhe dhëmbin e syrit të komandantit. I kam ato, bile ka qenë interesant edhe kur e kam bërë identifikimin e Isa Boletinit. Familjarët kur erdhën me marrë, thash një dhembë për kujtim. Tha e kemi ditë që ki me kërku diçka se e dimë që i ke mustaqet e komandantit dhe dhëmbin, por thanë familja ka vendosur edhe diçka tjetër me të dhënë përveç dhëmbit. Gishtin që ai ka gjuajtur 35 vjet. Thjesht ato janë disa gjëra që lidhen shpirtërisht. I mbaj në Institut në zyrën time. Edhe të komandantit Zahir Pajaziti e kam një dhëmbë”, pati treguar ai në “Frontal”.

I pyetur se a ka mundësi me i pa kushdo që shkon në zyrën e tij ai u përgjigj që po.

“Ato janë të krejt popullit”, pati thënë ai.

Të martën objekti i IML-së është përfshirë nga zjarri. Në media u raportua se janë djegur edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti I Isa Boletinit që ishin të koleksionuara nga  mjeku ligjor Arsim Gërxhaliu.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet dhe se prokurori i shtetit ka lëshuar autorizime për ekzaminime nga vendi i ngjarjes.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitet relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Prokuroria.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nëse ekzaminimet konfirmojnë elemente të veprës penale, Prokuroria ka theksuar se do të ndërmerren veprime të mëtejshme në përputhje me dispozitat ligjore.

Në mëngjesin e kësaj të marteje ka shpërthyer një zjarr në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që është djegur gjatë këtij vitit ky institute. Në mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta. vrasjeve apo raste të tjera që janë nën hetim.

Në lidhje me zjarrin e marsit, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, kishte dhënë detaje, duke sqaruar se nuk kishte pasur persona të lënduar.

“INCIDENT ZJARRI/Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prishtinë 25.03.2023, 20:20. Është raportuar se është përfshi nga zjarri objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Njësit policore si dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime.”, thuhej në raport.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se nuk beson që zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka ndodhur si pasojë e zjarrit.

Ajo tha se IML-ja jo rrallë herë është përballur me skandale.

“Hetimet preliminare theksojnë që defekti ka ndodhur sepse ka pasur një defekt në sistemin elektrik unë mund të pajtohem me ata që duket pak e besueshme ndonëse për të kanë folur ekspertet e çështjes. Por edhe unë njësojë si ju nuk mund të besoj ë në këtë dhe pse. Sepse jo rrallë herë ka pasur situata që IML-ja është përballur me skandale të shumta ndër vite”, tha ajo.

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments