Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaDita e 12-të në veri: Protestuesit serbë bëjnë gati makinat që të...

Dita e 12-të në veri: Protestuesit serbë bëjnë gati makinat që të largohen në mëngjes

Me arritjen e marrëveshjes në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe më 30 shtator, që nga dita e nesërme në pikat 1 dhe 31 pritet të zhbllokohet rruga nga protestuesit serbë, të cilët kanë qëndruar për 12 ditë rresht në shenjë proteste për reciprocitetin e taksës.

Grupi i fundit i Njësitit Special të forcave policore të Kosovës që do qëndrojë në veri të vendit, i cili do ta fillojë ndërrimin në ora 00:00, do të zëvendësohet nga ora 08:00 deri më 16:00 nga trupat e KFOR’it.

Këto informata i ka bërë të ditur gazetari i T7, Çlirimtar Morina nga pika kufitare Jarinjë, derisa bëri me dije se protestuesit serbë po bëjnë gati makinat që të lirojnë rrugën deri në mëngjes.

“Ka një optimizëm nga protestuesit që të largohen nga pikat e bllokadës në ora 08:00 nesër. Gjatë ditës kanë punuar me makineritë e tyre që t’i gjejnë ata në ora 08:00, ashtu siç është arritur marrëveshja më 30 shtator në Bruksel”, bëri me dije ai.

Ai tregoi edhe se ndërrimi i anëtarëve të Njësitit Special do bëhet nga ora 00:00, e jo nga ora 20:00 siç bëhej zakonisht.

Pas dy ditë diskutimesh në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Tri pikat të cilat do të vihen në zbatim si rrjedhojë e marrëveshjes që nga nesër janë kështu si vijojnë:

1. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments