Prokurorët e Hagës kanë filluar edhe zyrtarisht hetimet kundër Rusisë për krime lufte në Ukrainë. Prokurori kryesor, Karim Khan, që do të kryej hetimet bashkë me ekipin e tij janë nisur drejt Ukrainës për të parë nga afër vendin e ngjarjes, shkruan The Guardian.
“Dje kam krijuar ekipin tim dhe sot jemi duke lëvizur drejt rajonit”, ka thënë Khan duke shpjeguar se është një ekip i avancuar prej prokurorësh dhe avokatësh.
Khan i cili është avokat britanik ka thënë se zyra e tij do te kryejë hetime për krime të mundshme të luftës , krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Më herët Khan kishte qenë edhe avokat i Fatmir Limajt kur ky i fundit ishte përballur me Gjykatën e EULEX-it në Kosovë nga viti 2014 deri në vitin 2017
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka filluar hetimet pasi Ukraina edhe zyrtarisht ka deponuar kërkesën për hetime kundër Rusisë për krime lufte.
Zyrtarët e Ukrainës në vazhdimësi kanë reaguar pasi Rusia s’ka kursyer nga bombardimet as civilët. Qindra civilë kanë mbetur të vdekur si rezultat i raketave ruse të cilat kanë goditur ndërtesa banimi, derisa mijëra ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi si rezultat i barbarisë së Vladimir Putinit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskey, pas sulmit me raketë në qendër të qytetit Kharkiv, ditë më parë, ka thënë se një pamje e tillë tregon se Rusia është një shtet kriminal dhe se një gjë të tillë as nuk do ta harrojnë e as nuk do t’ia falin Vladimir Putinit.
Ndërkohë, të dy vendet, Ukraina dhe Rusia janë duke zhvilluar takime lidhur me situatën e krijuar. Pala ukrainase kërkon që menjëherë të fillojë armëpushimi nga Rusia, megjithatë në këto raunde bisedimesh thuhet se ka shumë pak përparim.
Bota demokratike në vazhdimësi është duke kërkuar ndaljen e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe ka vendosur sanksione të rrepta kundër Putinit, Rusisë dhe ekonomisë ruse