Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeDialogu në pritje të rezultatit të hetimeve për 24 shtatorin, kur do...

Dialogu në pritje të rezultatit të hetimeve për 24 shtatorin, kur do të përfundojnë?

Prokuroria Speciale po vazhdon hetimet lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Rrjedha e tyre do ta përcaktojë edhe atë të dialogut. Kosova ka kushtëzuar kthimin në Bruksel me sanksionimin e Serbisë. BE’ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur për hapat e ardhshëm në dialog, ndërkohë që Serbisë i ka kërkuar bashkëpunim të plotë. SHBA ka njoftuar po ashtu se ekspertët dhe analistët e saj po i nxjerrin konkluzionet e tyre për atë se kush qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit. Autoritetet e Kosovës ende s’kanë një afat, por sipas Kodit të Procedurës Penale hetimet, si në këtë rast, mund të zgjasin nga dy deri në tre vjet.

 

Vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë varet direkt nga rrjedha e hetimeve që po zhvillohen lidhur me sulmin e 24 shtatorit – ngjarje që ka shtuar tensionet mes palëve dhe ka “pezulluar” procesin negociator.

Nga Prokuroria Speciale kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet e drejtuara lidhur me rrjedhën e hetimeve, identifikimin e të dyshuarve dhe ekstradimin e tyre, e nëse dikush tjetër përveç Kosovës po heton rastin, duke thënë se në këtë fazë s’mund të japin asnjë informata më shumë.

“Ju njoftojmë se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim asnjë informatë më shumë”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

As Ministria e Punëve të Brendshme s’ka kthyer përgjigje në këto pyetje, duke sugjeruar që pyetjet të përcillen te Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

“Për këto pyetje ju lutem drejtohuni në Policinë e Kosovës dhe në Prokurori të Shtetit”, kanë deklaruar shkurt nga MPB. Policia s’ka kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të tekstit.

Për këtë sulm terrorist, Kosova e ka fajësuar Serbinë dhe ka kërkuar që të vihen sanksione ndaj saj, për të vazhduar me dialogun.

“S’ka arsye për t’u takuar pa u miratuar sanksione ndaj Vuçiqit. Sanksionet fillimisht, pastaj flasim për të tjerat“, ka deklaruar Presidentja Vjosa Osmani, para pesë ditësh nga Granada e Spanjës.

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes dy shteteve, ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve, para se të vendoset për hapat e radhës.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, s’ka treguar nëse do të përfshihen në hetime, por ka kërkuar nga Serbia që të bashkëpunojë pa kushte, për të zbuluar se çfarë ndodhi atë mëngjes në Banjskë.

“Por nuk do të hyj në detajet e hetimit, sa persona janë të dyshuar e kështu me radhë. Dua të përsëris mesazhin e qartë të BE-së – nevojitet bashkëpunim i plotë dhe i pakushtëzuar, jo vetëm nga Serbia, por nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë në hetim, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të gjithçkaje, çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë në të, kush organizoi. Në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se çfarë të bëjë kur është fjala për qasjen tonë ndaj Kosovës, Serbisë, dialogut dhe rajonit”, ka theksuar dje Stano, në një konferencë për media.

Disa ditë pas sulmit, “The Guardian” raportoi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë përfshirjen e Beogradit në sulmin terrorist ndaj Policisë.  Sipas raportimit, nëse zbulohej përfshirja e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kjo do të mund të çonte në sanksione ndaj Serbisë.

Ambasadori i SHBA’së Jeff Hovenier në një intervistë për Bloomberg tha se analistët dhe ekspertët amerikanë janë duke i nxjerrur përfundimet e tyre për atë që ndodhi më 24 shtator. Ai komentoi edhe rreth pasojave eventuale për Serbinë dhe kërkesën e Kosovës që ajo të sanksionohet nga bashkësia ndërkombëtare.

“Sa i përket pasojave për Serbinë, mund të them vetëm këtë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kërkesat e Republikës së Kosovës. Siç e thamë, këto janë çështje serioze, dhe çështja se çfarë ndodhi më 24 shtator, analistët tanë dhe ekspertët tanë po nxjerrin përfundimet e tyre, por ne ndoshta kemi standarde pak më të ndryshme nga ato që ka qeveria e Kosovës për marrjen e vendimeve përfundimtare për atribuimin ose përgjegjësinë.”

Miroslav Lajçak emisari i BE’së për dialogun javën e kaluar duke e komentuar faktin që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk u takuan në Spanjë, tha se ata që dialogojnë janë Kurti e Vuçiq.

“Nuk ka dramë rreth kësaj. Partnerë për dialog janë Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuciq. Ata janë njerëzit…natyrisht është gjithmonë mirë kur ka takim por duke i pasur parasysh rrethanat nuk do ta mbivlerësoja faktin se kësaj here s’pati takim. Gjithmonë është mirë që të kesh takim të mirë…” ka thënë Lajçak.

Sa mund të zgjasin hetimet?

Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.

Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”

A është kërkuar ekstradimi i Radojiçiqit dhe të tjerëve?

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës përbëhej nga rreth 100 terroristë, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiq. Radojiçiq, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, bashkë me disa terroristë të tjerë ndodhen në Serbi, ndonëse numri i saktë ende s’dihet.

Sveçla ka thënë se do të kërkojë nga Serbia, përmes partnerëve, që Radojiçiq dhe gjithë të përfshirët tjerë të dorëzohen në Kosovë. Prokuroria Speciale s’ka treguar nëse Kosova ka bërë kërkesë zyrtare nga Kosova për ekstradim të Radojiçiqit dhe të tjerëve.

“Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë.

Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë”, ka deklaruar Sveçla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se diçka e tillë s’do të ndodhë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments